Në shenjë nderimi për personalitetet që dhanë shumë për çlirimin e vendit deri në sakrificë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka vendosur pllakën shenjëzuese tek shtëpia ku jetoi dhe veproi heroi, Agim Ramadani, në Zhegër.
“Vendosja e kësaj pllake të shenjëzimit në vendin ku ka jetuar Agim Ramadani, është më e pakta që ne mund të bëjmë karshi kontributit të kolosit deri në flijim. Familja Ramadani duhet të jenë krenar për tërë jetën dhe kjo është vetëm një përkujdesje e jona për këtë kolos të Karadakut”, tha Haziri.
Vëllai i heroit të kombit Agim Ramadani, dr. Jashar Ramadani, e ka falënderuar kryetarin Haziri për nderin dhe respektin që ka treguar në vazhdimësi.
“Ne gjithmonë në këso ngjarje kemi dhimbje dhe krenari. Por, 20 vjet pas clirimit, krenaria është më e madhe dhe të jemi mirënjohës kryetar për respektin që e tregoni në vazhdimësi”, tha ai
Kryetari i Gjilanit paralamëroi se pllaka shenjëzuese do të vendosen në të ardhmen në çdo familje të dëshmorëve, në familjet që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla, ambullanta, e depo të Nënë Terezës deri në vitin 1999.