(2LONLINE) – Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, ka mbajtur sot një takim me strukturat e saj, përfshirë nëndegët, Kryesinë, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë, në të cilin është themeluar dhe funksionalizuar Shtabi i LDK-së, e të cilit do t’i prijë kryetari i Degës, Lutfi Haziri, si përgatitje për zgjedhjet nacionale, të cilat do të mbahen më 8 qershor.
Në këtë takim u përkrahën kriteret për kandidaturat që do të jenë përfaqësuese, profesionale dhe reprezentative për Gjilanin, në mënyrë që të ruhet primati i partisë më të madhe në Gjilan dhe Anamoravë.
Me këtë rast, Haziri tha se ushtarët e Ibrahim Rugovës janë çu n’këmbë, kësaj radhe për ta fituar Kosovën. Ai shtoi se LDK-në e Gjilanit do ta përcjell fryma e konsoliduar, unifikuese dhe mobilizuese.
LDK i bënë thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen në listat e votuesve nga data 13 deri 19 maj, të gjithë ata që e ndërrojnë vendbanimin të regjistrohen në afatin prej 14-24 maj, ndërsa ata që kanë probleme shëndetësore të regjistrohen nga 20-29 maj, në mënyrë që ekipet mobile t’ua mundësojnë të drejtën e votimit. LDK me të gjitha strukturat e saj po punon me intenzitet edhe më të madh për ta fituar Kosovën dhe për t’ia kthyer dinjitetin qytetarëve, të nëpërkëmbur nga qeverisja e keqe, u tha në ktë takim. /2lonline/