(2L ONLINE) – Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kanë nisur aktivitetet në shënim të 15-vjetorit të clirimit të Gjilanit nga pushtuesi agresor serb, ku sonte është mbajtur nata e parë e festivalit të këngëve dhe valleve “Gurra Popullore”.
Fillimisht tetë ansamblet e të gjitha trojeve shqiptare kanë defiluar mbrëmë në sheshin “Agim Ramadani” për të nisur nata e pare e festivalit, i cili mbahet për herë të 11-të.
I pranishëm në këtë eveniment ka qenë kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtorët komunal si dhe artdashës e mysafirë nga të gjitha trevat.
Para qindra të pranishmëve, kryetari Lutfi Haziri ka uruar gjilanasit për ditët e bardha të lirisë së Gjilanit, ndërsa u shpreh i lumtur dhe krenar me organizimin fantastii të festivalit të këngëve dhe valleve “Gurra Popullore”.
“Më lejoni që në emër timin në emër të familjes time dhe Kuvendit Komunal të Gjilanit t’ju uroj ditët e bardha të lirisë, ditët e clirimit të Gjilanit në këto ditë feste që sivjet e shënojmë e lirisë së Gjilanit. Më lejoni t’i falënderoj të gjithë këta njerëz që kanë punuar shumë që festivali i këngëve dhe valleve në këtë vit të bëhet realitet. Falënderoj jurinë që është këtu, Drejtorinë e Kulturës dhe gjithë pjesëmarrësit që sot e nesër do ta ndajmë këtë festë, do ta ndajmë këtë gëzim dhe do t’i ndajmë këto vlera kulturore me të cilët ne krenohemi si Gjilan, Karadak e Gollak dhe si bashkëvendas, sepse ne jemi pjesë e rëndësishme e thesarit kulturor dhe vlerave tradicionale të trashëguara që do t’i ruajmë dhe avancojmë. Urime këto ditë të bardha Gjilan, Zoti ju ruajt të gjithëve”, është shprehur Haziri.
Ndryshe, në ditën e nesërme kreu i Komunës me bashkëpunëtorë do të bëjë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe lapidarët në ora 11:00, ndërsa në ora 12:00 para teatrit të qytetit, do të bëhet ndarja e mirënjohjeve për persona të cilët kanë dhënë kontribut të veçant në fusha të ndryshme. /2L ONLINE/