(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka uruar qytetarët me rastin 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 102-vjetorit e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në mesazhin e urimit thuhet:
“Të dashur qytetarë të Gjilanit, më lejoni që në emrin tim personal dhe të të gjitha institucioneve të Komunës së Gjilanit, t’ju uroj nga zemra Festat e Nëntorit, 102-vjetorin e Shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit.
Në këtë ditë të shënuar për kombin tonë, ne respektojmë e nderojmë dëshmorët tanë si Mulla Idriz Gjilanin, Idriz Seferin, Agim Ramadanin, Zenel Hajdinin, Abdullah Preshevën, Musa Zajmin, e shumë dëshmorë e martirë të tjerë, të cilët sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë për të mirën e përgjithshme.
Në këtë ditë, poashtu, kujtojmë me dhimbje 70- vjetorin e masakrës së madhe të Gjilanit dhe ekspeditës ndëshkuese për shkak të përpjekjeve të luftës për liri, ku u masakruan mbi 8000 qytetarë, ose gjysma e popullatës së atëhershme.
Është dhimbje dhe përkulje e madhe për të gjithë këta dëshmorë, martirë dhe njerëz që vuajtën, por asnjëherë nuk u ndalën në përpjekjet e tyre për liri.
Gëzuar 28 Nëntori, Dita e Flamurit. Zoti ju bekoftë!”, thuhet në mesazhin e urimit të kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. /2L ONLINE/