(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorë, ka pritur sot në zyrën e tij fëmijët e klasës së parë të shkollës fillore “Musa Zajmi”, të cilët i kanë uruar atij festën e flamurit duke e shprehur atë përmes poezisë për flamurin kombëtarë dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se fëmijët janë të parët që në zyrën e tij kanë ardhur për të uruar festën e nëntorit.
“Këta fëmijë sot me mëngjes kanë ardhur këtu në zyrën time në mënyrë të organizuar për të më shprehur urimin për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar. Disponimi i tyre dhe shprehja përmes poezisë është një emocion i vërtetë që na japin fëmijët. Dita e Flamurit është festë e përbashkët për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Nga ky takim të gjithëve ua urojmë këtë festë të madhe kombëtare, duke dashur që të jemi më të bashkuar për të ecur fuqishëm dhe sigurt përpara”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri gjatë bashkëbisedimit që ka zhvilluar me fëmijët.
Ndërsa mësuesja Luljeta Kadriu, ka thënë se vizita në zyrën e kryetarit ka qenë kërkesë e përbashkët e nxënësve.
“Kjo vizitë ka qenë kërkesë e nxënësve të cilën e kemi mbështetur bashkërisht edhe me prindërit e tyre. Sot jemi këtu për t’i uruar festën e Flamurit Kombëtar dhe 102 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”, ka thënë ajo ndër të tjerash.
Ndryshe, në shenjë urimi, kryetarit Haziri, fëmijët e kësaj shkolle, i kanë dhuruar një plaket me hartën e Kosovës që proklamon pasurinë e tokës shqiptare nën flamurin kuq e zi. /2L ONLINE/