(2L ONLINE) – Trajtimi i rrugëve me zhavorr është zgjidhje e problemit për banorët të cilët kanë shfrytëzuar rrugë të një niveli skajshmërisht të degraduar në rrugën qarkore të Gjilanit, ka thënë gjatë inspektimit të punimeve drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim, Sokol Haziri i cili shoqërohej nga profesionistët e kësaj drejtorie.
Haziri me këtë rast ka thënë se në planin e punës për vitin e ardhshëm janë paraparë edhe shumë investime të tjera infrastrukturore. Ai tha se këtë vit janë duke punuar në bazë të emergjencave të cilat janë krijuar në terren.
“Sot jemi duke punuar në rregullimin e rreth dy kilometrave rrugë këtu në lagjen mbi unazën qarkore, pas kërkesës së banorëve të cilët kanë ecur nëpër një rrugë që ishte në kushte të rënda teknike. Këtu kemi intervenuar me zhavorr në mënyrë që sa më parë të heqim baltën nga rrugët për t’u mundësuar banorëve qarkullim më të lehtë. Kjo ishte një rrugë me kushte shumë të vështira. Nga kjo lagje kanë udhëtuar edhe fëmijët për në shkollë, e që gjendja e rrugës ishte shumë e rëndë duke mos plotësuar asnjë kriter teknik. Kudo që jetojnë njerëzit e Komunës sonë ne jemi të vendosur që të krijojmë kushte për ta”, ka thënë drejtori Haziri, duke i siguruar qytetarët e Gjilanit se bashkëpunimi i komunës me komunitetin do të jetë përherë në funksion të krijimit të kushteve më të mira për qytetarë.
Ai poashtu ka thënë se janë të përgatitur maksimalisht edhe sa i përket kompetencave shtesë që janë bartur në këtë drejtori, (infrastruktura dhe banimi) duke dhënë detaje se në planin e punës i cili është hartuar për vitin e ardhshëm 2015, janë bërë të gjitha përgatitjet për të hyrë në implementim duke shpresuar në rritje edhe më të madhe të buxhetit për investime në infrastrukturë.
Ndërsa Bajrush Rexhepi njëri nga banorët e kësaj lagjeje ka falënderuar Komunën e Gjilanit për intervenim në këtë rrugë, ngase siç ka thënë ai pas reshjeve të shiut kjo rrugë ishte e pakalueshme si për këmbësor ashtu edhe për vetura.
“Kur kishte reshje shiu, në këtë rrugë përfundonte qarkullimi i këmbësorëve dhe i veturave. Të gjithë tash e tutje do të lëvizim lirshëm duke nisur nga fëmijët e deri tek veturat”, tha ky banor. /2L ONLINE/