Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Shëndetësisë, sot ka pranuar 640 doza të vaksinës AstraZeneca.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se prioritet është grup mosha mbi moshën70 vjeçare, të cilët janë regjistruar, por që nuk janë vaksinuar akoma.
“Ekipet e vaksinimit do t’i kontaktojnë qytetarët mbi moshën 70-vjeçare sipas planit dinamik të vaksinimit. Ndërkaq, kërkojmë nga qytetarët mbi moshën 65 vjeçare që të fillojnë të regjistrohen për vaksinim në Qendrat më të afërta të mjekësisë familjare. E kemi bërë planin që të mos shkaktohet tollovi në këtë proces të ruajtjes së shëndetit publik”, ka thënë Haziri.
Kryetari i Gjilanit bëri të ditur se vaksnimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ramiz Cernica”, në rrugën “Pajazit Ahmeti” (afër tregut të rërës).
Përndryshe, në fazën e parë janë vaksinuar 1377 qytetarë, përkatësisht të moshës mbi 75 vjeçare, përfshirë edhe punëtorët shëndetësorë.
Ndërkaq, pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 20916 mostra, 6373 kanë rezultuar pozitivë, 6146 janë shëruar, 144 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 83 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 23 dhe 61 mostra në pritje për rezultat. /2LONLINE.com/