(2LONLINE) – Ministria e Pushtetit Lokal ka prezantuar të mërkurën në Gjilan Strategjinë për Qeverisje Lokale 2015-2025, para subjekteve politike dhe institucionale, shoqërisë civile, bizneseve dhe grupeve tjera të interesit, ku ka marrë edhe vërejtet dhe sugjerimet e tyre për këtë dokument.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se pushteti lokal në Kosovë duhet të riorganizohet totalisht. Rishikimi i mënyrës së funksionimit të pushtetit lokal është i domosdoshëm të bëhet, sepse qeverisja lokale në Kosovë ka qenë e organizuar mbi kompromise të dhimbshme.
Ai tha se personalisht është në favor të ndryshimit edhe të ligjit për zgjedhjet lokale, sikurse është i domosdoshëm edhe definimi i kufijve të komunave, që Gjilani ka problem me Kamenicën dhe Artanën, kategorizimi i komunave dhe të tjera.
Haziri ka thënë se Gjilanit duhet të njihet statusi i qytetit, ndërkaq sa i përket krijimit të komunave të reja, ai tha se këto njësi të qeverisjes lokale duhet të themelohen përmes një procesi normal dhe jo si akt politik.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, njëherësh edhe kryesuese e Kolegjiumit të kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se ata i kanë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në këtë dokument, të cilat do t`i paraqesin me shkrim në MAPL dhe nëse nuk merren parasysh, nuk do të marrim pjesë në procesin e mëtejmë të përgatitjes së kësaj strategjie, ka thënë ajo.
“Ne nuk pajtohemi se të hyrat vetanake të Komunave kanë pasur rritje në këtë periudhë, nuk pajtohemi me zvogëlimin e njësive të qeverisje lokale, kurse kërkojmë që kategorizimi i komunave të bëhet sipas Konventës Evropiane për pushtet lokal”, ka thënë Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Kurse Hasan Aliu, nënkryetar i Komunës në Viti, tha se Kosovës i nevojitet një administratë lokale që është në përputhje me nurin e banorëve të asaj komune. Njëherësh, ai tha se është i domosdoshëm rishikimi i kufijve komunale, sepse decentralizimi i ka ndarë në dysh disa komuna, siç ka ndodhur edhe me Vitinë.
Besnik Osmani, sekretar i përhershëm i MAPL-së, ka thënë se prezantimi i Strategjisë po bëhet me qëllim që të merren vërejtjet dhe sugjerimet edhe në nivel lokal, për një dokument shumë të rëndësishëm sipas të cilit organizohet dhe funksionon qeverisja lokale.
Isuf Zeneli, përfaqësues i MAPL, i cili e ka prezantuar dokumentin, ka thënë se diskutimit për Strategjinë e Vetëqeverisjes lokale 2015-2025 i ka parapri një debat i gjerë edhe në nivel qendror.
Strategjia e Vetëqeverisjes Lokale 2015-2025 bazohet mbi pesë objektiva kryesore, që janë rritja e qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe strukturore lokale, krijimi i një kornize për qeverisje të mirë dhe rregullimin efektiv për të siguruar përfaqësimin demokratik të qytetarëve dhe administratë efikase dhe profesionale të Komunave, forcimi i kapaciteteve institucionale të vetëqeverisjes lokale për të përmbushur kërkesat e qytetarëve dhe për të arritur përmirësim të qëndrueshëm në shërbimet komunale për qytetarët, forcimi i partneriteteve ndërmjet pushtetit lokal, shoqërisë civile dhe bizneseve për të krijuar një qytetari aktive, gjithëpërfshirëse dhe kohezive si dhe promovimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore si dhe afirmimi diversitetit kulturor, etnik dhe gjuhësor në Komuna, të ndikojë në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor./2lonline/