Pas tragjedisë që ndodhi dje në Gjilan, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Pas takimit, Haziri e ka falënderuar ministrin Veliu për vizitën, ndërkaq ka informuar se po bëhen gati për t’ia dhënë lamtumirën e fundit viktimave.
“E falënderoj ministrin e Brendshëm, mikun tim Agim Veliu, i cili sot është në vizitë për të parë nga afër zhvillimet pas tragjedise që e përjetuam dje. Trupat e pajetë janë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ne po presim që një pjesë e familjes të vinë nga Kanada në Gjilan dhe po përgatitemi për ceremoninë e varrimit bashkë me komunitetin e Cernicës dhe familjen Bllaca”, tha Haziri.
Haziri, me këtë rast, ka falënderuar të gjitha institucionet e shtetit për solidaritetin e madh për Gjilanin për t’ua lehtësuar dhembjen.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Agim Veliu, ka shprehur ngushëllime për shuarjen e familjes gjilanase.
“Ju shpreh ndjenjen e keqardhjes për rastin që ka ndodhur dje. Kryetarit Haziri i shpreha ngushëllime dhe luta që familjes së gjerë Bllaca t’ua përcjell ngushëllimet për shuarjen e një familje. Rasti është shkaktuar nga një punonjës i policisë dhe po bëjmë përpjekje që ta trajtojmë ashtu sikurse kërkohet në bazë të ligjeve”, ka thënë Veliu.
Veliu tha se është shumë i kënaqur që reagimi i policisë dhe i Inspektoratit ka qenë i shpejtë dhe vendimet e para që janë marrë do të jenë një process që do të trajtohen edhe më tutje.
“Ne do të kemi kujdes që të punojmë shumë edhe në ligjin për policinë, për pensionimin e parakohshëm të policëve, të cilët janë me sëmundje të ndryshme dhe për shkak të ligjeve të ekzistuese, tash për tash nuk mund të merren masa. Këtë rast do ta trajtojmë ashtu si duhet dhe të nxjerrim mësime, në mënyrë që të mos përsëriten raste të tilla”, ka shtuar Veliu.
Më pas, Haziri, Veliu e Qalaj, kanë vizituar Drejtorinë Regjionale të Policisë, ku janë pritur nga drejtoresha Elmina Mahmuti.
Të martën, sipas njoftimeve të Prokurorisë së Shtetit, dyshohet se një punonjëse e policisë ka vrarë katër anëtarë të familjes së saj e mëpas edhe veten.