(2L ONLINE) – Drejtoria e Shërbimeve Publike në Gjilan ka nisur edhe në praktikë zbatimin e ligjit për ndërtesat në bashkëpronësi, ku tashmë në ndërtesën e Soliterit ka themeluar Shoqatën e Banimit në Ndërtesën me Bashkëpronar.
“Në këtë objekt në bashkëpunim me banorët, ka nisur puna për themelimin e Shoqatës e që përgjegjësi kryesore ka menaxhimin e hapësirave të përbashkëta të objektit, duke nisur nga parkingjet, gjelbërimi, korridoret, shkallët, ndriçimin e brendshëm, ashensorin, kulmin, fasadën dhe gjithçka tjetër që është e përbashkët në një objekt të tillë”, ka thënë në një takim formal që kishte me kryesinë e shoqatës drejtori Sokol Haziri me komisionin e drejtorisë dhe bashkëpunëtor të tjerë.
Me këtë rast drejtori Haziri ka thënë se ky është vetëm fillimi, kemi nisur me Soliterin sepse është emblemë e qytetit dhe do të vazhdoj me secilin objekt tjetër të këtij lloji ku ka bashkëpronar.
“Jemi të parët në nivel vendi që po nisim zyrtarisht zbatimin e ligjit për ndërtesat në bashkëpronësi. Kemi nisur me Soliterin dhe do të vazhdojmë me të gjitha ndërtesat ku ka bashkëpronar, në mënyrë që ambienti dhe kushtet për vetë këta banorë të jenë më të mira”.
“Komuna tash e tutje do të ketë vetëm mandatin për të koordinuar dhe bashkëpunuar deri në finalizim të këtyre shoqatave. Çdo pronar i banesës apo i lokalit afarist, është njëkohësisht edhe anëtar i shoqatës së atij objekti konkret. Me krijimin e këtyre shoqatave që të gjithë marrin edhe përgjegjësi dhe obligime që të ndajnë edhe mjete financiare për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta”, ka thënë Haziri.
Ai poashtu tha se kështu do të vazhdohet edhe me të gjitha objektet tjera në Komunën e Gjilanit të cilat janë të këtij tipi dhe planifikohet që themelimi i shoqatave të përfundoj gjatë vitit të ardhshëm tëri në objektin e fundit.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike, ka formuar komisionin e drejtorisë i cili do t’i informoj banorët për gjithçka që ka të bëjë rreth themelimit të një shoqate, deri në precizimin edhe të përgjegjësive që ata do të kenë gjatë të ardhmes. Kështu që shoqata do të krijoj fondin përmes participimit të familjeve që janë në atë objekt banimi, në mënyrë që mirëmbajtja të bëhet nga po i njëjti fond”, ka thënë drejtori Haziri, duke shtuar se kjo shoqatë që krijohet do të regjistrohet si OJQ dhe posedon fondin që krijohet edhe të hyra nga banorët.
Ndërsa kryetari i kryesisë së shoqatës së themeluar në këtë ndërtesë, Arlind Behluli, ka informuar se është bërë përzgjedhja e kryesisë prej shtatë anëtarësh dhe punët në fillim po shkojnë shumë mirë falë mbështetjes së familjeve që jetojnë në këtë objekt.
“Kemi nisur me punë menjëherë, të gjithë banorët të cilët janë aktualisht këtu i kanë dhënë mbështetje kësaj nisme. Në Soliter janë gjithsej 55 bashkëpronar. Një numër i madh i tyre janë në botën e jashtme, por të gjithë ata që janë këtu iu kanë përgjigjur pozitivisht kësaj nisme. Jemi të kënaqur me mbështetjen që ka ardhur nga ana e Komunës së Gjilanit për këtë qëllim, që natyrisht ka sjellë edhe lehtësira në këtë drejtim. Sigurisht që gjatë të ardhmes ne do të nisim me punë edhe në aspektin e gjelbërimit, parkingjeve etj., tashmë në Soliter funksionon shumë mirë ndriçimi i brendshëm, pastërtia është në nivel, ashensori poashtu, të cilat janë meritë e të gjithë banorëve aty dhe kështu bashkërisht do të vazhdojmë edhe në punë të tjera”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Sipas Behlulit, shumë shpejt do të bëhet edhe juridikisht regjistrimi i Shoqatës së Bashkëpronarëve të Soliterit. /2L ONLINE/