(2L ONLINE) – Veprimi i KEDS-it në Gjilan për vendosjen e orëve digjitale në shtyllat elektrike në disa pjesë të qytetit të Gjilanit, nga autoritetet komunale, vazhdon të konsiderohet si veprim i jashtëligjshëm. Kryetar i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka kërkuar nga KEDS-i të heq vet këto ora, në të kundërtën ai ka bërë të ditur se mund ta bëjë vet komuna me Inspeksionin.
“KEDS-i nuk ka asnjë të drejtë ligjore, që të vendos ora nëpër shtyllat elektrike pa lejen e Komunës. Ne e kemi dërguar një urdhëresë për tërheqjen e atyre orëve. Ne do ta përsërisim edhe njëherë kërkesën tonë menaxhmentit të KEDS-it, nëse jo, atëherë do të dalim me inspeksionin dhe do t’i grumbullojmë të gjitha orët dhe do t’ia kthejmë prapa”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, për vendosjen e tyre duhet pëlqim i Komunës dhe duhet leje urbane.
“Ne mbështesim natyrisht politikën e KEDS-it, por nuk lejojmë që Gjilani me u bërë “Kandahar”, për “qefe” të organizatave”, ka thënë Haziri, që sipas tij, edhe ashtu, në disa pjesë, nga telat është bërë sikur rrjet e merimangës, prej shtyllës në shtyllë, por kjo do të zgjidhet gjatë të ardhmes, ka thënë kreu i komunës./2L ONLINE/