(2L ONLINE) – Zyrtarë komunal për informim të komunës së Gjilanit thonë se katërshja e prioriteteve të qeverisjes së kryetarit Lutfi Haziri po vazhdon të rregullohet me një dinamikë të madhe të punës.
Sipas tyre, pas nisjes së punimeve në rrugët Lladovë-Nasalë, Pogragjë-Bilinicë, në disa rrugë të Përlepnicës, në 11 rrugica të lagjes “Dheu i Bardhë”, në “Zabel të Sahit Agës”, në Gadish, Sllakovc, Kishnapole etj, Komuna e Gjilanit po vazhdon me sukses të realizojë edhe rrjetin e ujësjellësit në disa fshatra. Banorët e fshatrave Bresalc, Ponesh, Zhegoc dhe Verbicë e Kmetocit brenda pak kohësh do t’i lënë pas problemet me mungesën e ujit, ngase Komuna është në përfundim të punimeve të rrjetit të ujësjellësit.
Kryetari i Komunës Lutfi Haziri së bashku me drejtorët komunal ka parë nga afër punimet në fshatin Bresalc, ndërsa është ndarë i kënaqur me dinamikën e punës së deritashme në realizimin e punëve të katërshes e madhe.
“Ashtu siç ju kemi premtuar në fushatë, punët jemi duke i kryer një nga një në mënyrën më të mirë. Po punojmë për të mirën e qytetarëve në qytet e fshatra dhe shumë shpejt ju do ta keni ujësjellësin që ju ka munguar aq shumë deri tash”, tha me Haziri, gjatë inspektimit të punëve në fshatin Bresalc.
Nga ana e tyre, banorët e fshatit Bresalc e falënderuan kryetarin Haziri për investimet, duke thënë se ua ka kthyer vullnetin për të jetuar në fshat. Ndryshe, faza tjetër e investimeve do të jetë në fshatra të tjera, në ndërtimin rrjeteve të reja, si dhe rehabilitimin në ato fshatra ku nuk funksionon ujësjellësi, thonë zyrtarë komunal për informim.
Përndryshe, realizimi i projektit të ujësjellësit po bëhet nga Komuna e Gjilanit në partneritet me CDI zvicerane. /2L ONLINE/