(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit, përpos shumë projekteve të tjera të mëdha, po vazhdon me sukses edhe me projektet për rregullimin e kanalizimit në zonën urbane dhe atë rurale. Rrjeti i kanalizimit është punuar kryesisht në zonën urbane në rrugët: “Gazmend Zajmi”, “Ibrahim Pacolli”, “Vëllezërit Xhakli”, “Hysni Xhemajli”, në rrugicën në lagjen “Qarku II” dhe atë në “Idriz Seferi”. Po ashtu, rrjeti i kanalizimit është punuar edhe në fshatin Goden, thonë drejtues të komunës.
Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka deklaruar se Komuna po i heq vadat ashtu siç u ka premtuar qytetarëve, duke e rregulluar infrastrukturën rrugore me të gjitha elementet e saj në mënyrën më të mirë.
Haziri tha se me këtë dinamikë të punës do të vazhdohet edhe në fshatra e lagje të tjera ku ka nevojë.
“Të gjitha këto projekte, përfshirë rrugët, kanalizimin, ujësjellësin e ndriçimin publik po i realizojmë në një kohë shumë të shkurtër të qeverisjes gjashtë muajshe, të cilat po ndërtohen në mënyrën më të mirë dhe sipas standardeve. Jam zotuar se në mandatin tim do ta heq lloçin dhe vadat dhe kjo po ndodhë sepse ua kemi për obligim qytetarëve tanë t’ju sigurojmë jetë të dinjitetshme”, ka thënë Haziri.
Në qeverisjen gjashtë mujore të kryetarit Lutfi Haziri në Gjilan janë kontraktuar punë, kryesisht në infrastrukturë, në vlerë prej mbi 1.2 milionë eurosh, ndërsa janë shlyer mbi 1.8 milionë euro borxhe të trashëguara. /2L ONLINE/