/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim falënderimi trupën profesioniste të aktorëve nga drama “Jetë me qira” nga Teatri i Qytetit, të cilët kanë marrë çmimin kryesor nga festivali në Dibër, duke potencuar faktin se angazhimi i tij është që ky teatër të jetë identifikim i Kosovës në arendën rajonale dhe ndërkombëtare.
“Jam i gëzuar që është arritur vendi i parë nga Teatri i Qytetit të Gjilanit në festivalin e Dibrës. Kjo është bërë me një përgatitje sigurisht shumë të madhe të aktorëve, me përkushtim të vazhdueshëm dhe me një mbështetje simbolike nga ana e Komunës. Më tutje jam i angazhuar gjithnjë që teatri i Gjilanit të jetë identitet i teatrove të Kosovës në botën e jashtme, mirëpo kjo bëhet me shumë punë dhe me angazhim të sinqertë e profesional. Brenda këtij viti aktorët do të kenë hapësirë edhe më ta madhe në teatër, sepse nga atje do të largohet biblioteka e cila do të vendoset në objektin e saj dhe hapësira do të jetë shumë më e madhe gjatë të ardhmes”, ka pohuar kryetari Haziri, duke potencuar mbështetje të vazhdueshme për kulturën e Gjilanit dhe sektorët e tjerë, por në veçanti për artin skenik.
“Dërrasat e Teatrit nuk janë të lehta, ato kërkojnë shumë punë të aktorëve dhe stafit tjetër profesional e krijues që të jenë konkurrent dhe prodhues të mirëfillt”, tha ai më tej.
E nga ana tjetër, Bujar Haziri u.d. i drejtorit të teatrit të Gjilanit, ka thënë se përkushtimi i Komunës, e veçanërisht i kryetarit, është që aktorët të kenë përherë rrugën e hapur për pjesëmarrje në të gjitha festivalet, kudo që ato mbahen si dhe trajtimin më të mirë në Gjilan.
Aktorët e shfaqjes në këtë takim I kanë dhuruar kryetarit Haziri plaketën e falënderimit për mbështetjen e pakursyer dhënë artit skenik në veçanti.
Përndryshe, shfaqja “Jetë me qira”, me autor Rafet Abazin dhe me regji të regjisorit Ekrem Sopi, ka marrë çmimin kryesor në festivalin e mbajtur në Dibër, ku pjesëmarrës ishin teatro të ndryshme nga gjithë hapësira shqiptare. Ky çmim erdhi në vitin e 15-të jubilar të festivalit “Teatri shqiptarë në Maqedoni”, që mbahet në Komunën e Dibrës. /2L ONLINE/