DYLON

‘Gjahu në UÇK’- dhe shprehja e lirë!

Avatar photo Redaksia

Liria e shprehjes është njëra ndër të drejtat më elementare të njeriut, ndërkaq tendenca për shpifje, ose shpifja si e tillë është veprimtari e dënuar me ligj! Dokumentari ‘Gjahu në UÇK’ prodhim i gazetës Express që për autor ka gazetarin Leonard Kerqukin dhe bashkëpunëtorët e tij, bëri bujë të madhe në opinionin publik.

Meqë tema ishte e ndjeshme, sigurisht që një gjë e tillë edhe pritej. Dokumentari në fjalë pati apologjetët dhe kundërshtarët e tij. Natyrshëm, gjë që edhe mund të pritej, ngase mendja njerëzore nuk është e thënë të jetë një dhe e prerë, për një temë kaq të ndjeshme, aq më tepër kur target e saj është lufta e UÇK-së.

EkoHigjiena

Dokumentari në fjalë flet për veprimtari kriminale:për vrasje dhe dëbime të serbëve tëkryera pas luftës nëKosovë. Nuk dua të paragjykoj se kush konkretisht fshihet prapa këtij dokumentari dhe cilat ishin privilegjet që u janë premtuar autorëve te tij, por se ishte tendencioz dhe se kishte për qëllim ta njolloste luftën e shenjt të UÇK-së, nuk ka asnjë dilemë.

Dokumentari në fjalë me ose pa fakte përgjegjës për vrasjen dhe dëbimin e serbëve pas luftës në Kosovë e bën UÇK-në. Mbase Leonardi dhe hartuesit e këtij ‘projekti’ nuk janë në dijeni se për pastërtinë e luftës çlirimtare është debatuar edhe në qarqe ndërkombëtare, madje edhe ato serbe.

Dua t’ia kujtojë këtij gazetari se pastërtinë e luftës së UÇK-së e mbron edhe humanistja dhe luftëtarja e denjë e të Drejtave të Njeriut, serbja Natasha Kandiq, e cila pa më të voglin dyshim mohon zërat se UÇK ka kryer krime duke pohuar se: “UÇK nuk ishte organizatëterroriste”.

“Gjahu në UÇK” flet për dëbimin dhe vrasjen e serbëve pas luftës në Kosovë dhe është i bindur se këto krime i kryen ushtarët e UÇK-së! Logjika e shëndoshë nuk mund ta pranojë një gjë të tillë. Pse? Si është e mundur që për dy vite luftime të pandërprera, UÇK kurseu dëbimin dhe vrasjen e civilëve serbë dhe një gjë të tillë do ta bënte pas luftës, aq më tepër kur dihet se UÇK doli fitimtare nga lufta e pabarabartë me tendenca gjenocidiale të regjimit kriminal të Millosheviqit.

Leonardi duhet të ketë qenë i ri në moshë, por opinioni e di se në qytetin e Pejës janë vrarë e maltretuar të rinj shqiptarë të pafajshëm (disa nga ta kanë mbetur me të meta psikike si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre) për një krim që kurrë nuk e kishin kryer. Ata akuzoheshin se paskëshin vrarë disa të rinj serb në një lokal në qytetin e Pejës gjatë luftës, ani pse të vetëdijshëm (sikurse tash së voni edhe vet e pranuan) se një gjë të tillë e kishte kryer pushteti kriminal serb dhe strukturat e tij të instaluara në Kosovë.

Mbase të tjerëve po, por mua si një vëzhgues fanatik që jam nuk ia fal vetës të më ikin as detajet. Si është e mundur që edhe familjarët e viktimave serbe të jenë më të kursyer në deklarimet e tyre kur bëhet fjalë për vrasjen e më të dashurve të tyre sesa autorët e dokumentarit.

Përderisa një grua serbe e cila e përjetoi mbi supet e saj tragjedinë e humbjes së familjarëve të vet në fshatin Grackë të Lipjanit, tregohet më e kursyer kur flet për tragjedinë që përjetoi duke mos akuzuar pa fakte, dokumentari tendencioz i Leonard Kerqukit mëton t’i largojë të gjitha “perdet” për sa i përket vrasjes së civilëve serb në këtë fshat. Paradoks i sojit të vet.

E vërteta është se për një dokumentar skandaloz si këtë të Leonard Kerqukit mund të shkruhet një libër i tërë, por unë dua ta përmbyll këtë paraqitje me vetëm një lutje; mbase për disa do të tingëllojë ‘patriotizëm i vonuar’, mirëpo kujtoj që duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për luftën e UÇK-së, ngase UÇK për shqiptarët është vlera më e madhe kombëtare e shekullit XX.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.