Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot ka pritur në një takim pune regjisorin e ri, Peon Sadiku, i cili edhe pse është vetëm 12 vjeçar, Gjilanin dhe Kosovën i ka bërë të njohur me aftësitë e tij në regji, gjë për të cilën Haziri ka thënë se do ta trajtoj meritueshëm përmes Fondit të Ekselencës.
“Peoni është një nxënës që Gjilanin e ka bërë krenar me punën, angazhimin dhe sukseset që ka shënuar në regjinë filmike, por edhe në fushën e këndimit. Familja e tij, shkolla ku ai vazhdon mësimet, Komuna e Gjilanit dhe qytetarët e saj gjithmonë janë krenarë me sukseset e secilit. Veçanërisht kur është fjala për një 12 vjeçar që me veprën e tij, ka hyre në mesin e filmave më të mirë për “Junior Oscar”, të mbajtur vitin e kaluar. Ai ka marrë pjesë edhe në organizime të tjera që na bëjnë të ndjehemi vërtete shumë krenar dhe me fat që e kemi një nxënës të tillë”, ka thënë, mes tjerash, kryetari Lutfi Haziri.
E vet Peoni, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen, derisa ka konfirmuar angazhimin maksimal në fushën e inovacionit, filmit, këngës dhe fusha të tjera të ngjashme, për të dëshmuar që edhe përkundër që është shumë i ri në moshë, mund të kontribuoj me sukseset e tij dhe me idetë që ka.
Gjatë të ardhmes, Peoni ka bërë të ditur që do të vazhdoj gjithsesi me punë, që me veprat dhe vlerat e tij të jetë një konkurrues serioz në çdo organizim.