Gjilan – (2LONLINE) – Interesimi i qytetarëve të Gjilanit për t`i paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në projekt-rregulloren për taksa komunale, e cila i është nënshtruar të enjten dëgjimit të parë publik, nuk ka qenë asnjëherë më i madh. Ata kanë kërkuar ulje të tatimit në pronë, qira më të vogla për objektet komunale, heqje të taksës për ndërmarrjet e kontrollimit teknik, ulje të taksës për operatorët kabllorë si dhe harmonizim të taksave tjera me kushtet ekonomike të qytetarëve, për t`i bërë ato sa më të përballueshme.
Përfaqësuesi i kompanisë “Kujtesa”, Armend Ukshini, ka thënë se çmimi prej një euro për çdo metër kabëll të shtrirë, është shumë i lartë dhe kërkoi të rishikohet kjo taksë. Skënder Kçiku, tha se qiraja e propozuar për objektet komunale që i shfrytëzojnë zejtarët, është i madh.
Mejdi Zymberi kërkoi të hiqet taksa edhe për ndërmarrjet e kontrollimit teknik, sikurse që është bërë për bizneset tjera, sikurse kërkoi një taksë më të arsyeshme kadastrale sa i përket matjes së tokës ndërtimore, që tani është 0.50 euro për metër. Taksa për këtë shërbim duhet të jetë e krahasueshme me koston e shërbimit që bëhet, ka thënë ai.
Riad Rashiti tha se qeveria e kaluar komunale ka bërë lehtësira taksash për çdo vit, por duke mos dëmtuar buxhetin e Komunës. Edhe ai ishte dakord që taksa për kontrollime teknike të automjeteve të hiqet krejtësisht. Sipas Sali Kçikut, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, te bizneset e mëdha është bërë një specifikim i obligimit sipas madhësisë, që në total nënkupton ulje të taksës. Ndërkaq, Shaban Terziu nga shoqëria civile ka thënë se taksat duhet të ekzistojnë patjetër, sepse shteti mbahet prej tyre.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës i ka inkurajuar qytetarët, afaristët dhe grupet tjera të interesit që t`i paraqesin të gjitha vërejtjet e tyre në këtë projekt-dokument, në mënyrë që para Kuvendit Komunal të shkojë një rregullore sa më e pranueshme për të gjithë.
“Nuk mund të bëjmë Komunë të pasur në kurriz të qytetarëve të varfër”, ka thënë Haziri. Sipas tij, qeveria duhet të jetë realiste dhe të grumbullojë vetëm atë që i takon shtetit dhe jo në emër të ndërtimit të diçkaje të grumbullohen para në formë të haraçit.
Ai ka paralajmëruar një ulje të ndjeshme të taksave te shumica e kategorive, ndërsa te disa, siç ka thënë, do të jenë zero. Edhe sa i përket tatimit në pronë, Haziri ka thënë se shumë shpejt do të formohet një task-forcë për përcaktimin e vlerës së pronave dhe mbi këtë kriter do të caktohet pastaj tatimi në pronë, meqë te norma nuk mund të ndërhyhet, sepse është politikë e nivelit qendror.
Shpresoj se në shtator do të fillojmë të tatojmë ndryshe pronat, ka thënë Haziri. Ai ka thënë se edhe te zejtarët nuk do të ketë rritje të qirasë për objektet ekzistuese.
Sqarime dhe udhëzime sa i përket projekt-rregullores për taksat komunale ka dhënë Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore, i cili ka thënë se te Kadastra dhe Shëndetësia, tarifat janë të përcaktuara nga niveli qendror dhe Komunat nuk mund t`i ndryshojnë ato, ndërkaq sa u përket taksave tjera, ka thënë se i mirëpresin edhe më tutje sugjerimet dhe vërejtjet e qytetarëve. /2LONLINE/