Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me ekipin me Bordin e Drejtorëve, kanë mbajtur takim publik me qytetarët, që është numr 46 për katër vite të qeverisjes me këtë komunë.
Me të marrë fjalën, kreu i Gjilanit komtoi lajmin e nënshkrimit të projektit të ndërtimit të Tregut të Gjelbër, i cili do të nis në janar të vitit 2018, me financim të Komisionit Europian.
Ndërsa, duke folur për punën e gjashtë mujorit të dytë të këtij viti, Haziri tha se meqë ka pasur dy palë zgjedhje, kanë ndodhur disa vonesa në realizimin e projekteve, pasi theksoi se në kohë fushate nuk ka pranuar të nënshkruaj kontrata me operatorët, për të mos ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Ai theksoi se ka nënshkruar kontrata për ndërtim të infrastrukturës rrugore në fshatra në vlerë prej 2 milionë euro, të cilat do të realizohen sipas planit në vitin ardhshëm.
“Do të vazhdojmë ta aplikojmë parimin e barazisë së investimeve qytet-fshat”, pohoi Haziri.
Haziri pohoi se do ta vazhdoj të aplikoj dietë të ashpër sa i përket shpenzimeve, përderisa ka theksuar rindërtimi i infrastrukturës së qytetit, zgjerimi i qendrës e rrënimi i disa objekteve publike, është në plan të parë.
“Do të ketë investime multimilionëshe në përfundimin e katërshes së madhe infrastrukturore, që përfshihet ndërtimi i rrugëve, tretmani i ujërave të zeza, ndërtimi i shtratit të lumit “Stanishorka” e “Mirusha”, pastaj investimi në rrjet të ujësjellësit, në ndriçim publik e ndërtimi dhe standardizimi i trotuareve”, është shprehur kryetari Haziri.
“Shetitorja do të vazhdohet deri tek stadium i qytetit, për të vazhduar me pjesën tjetër nga hotel “Kristal’ e deri tek “Livadhet e Akllapit”. Po ashtu, edhe dy hyrje-daljet e qytetit do të realizohen me dinamikë edhe më të madhe në punë”, ka pohuar ai.
Haziri paralajmëroi e depolitizim të arsimit, sikurse edhe investime të mëdha në këtë sektor, përderisa për bujqit tha se Komuna do të vazhdoj t’i subvencionojë për ta forcuar familjen bujqësore.
Fondi i Solidaritetit do të vazhdoj të aplikohet edhe në katër vitet e ardhshme, për t’i dalë në ndihmë kategorive në nevojë, pohoi kryetari i Gjilanit, duke shtuar se edhe bashkëpunimit ndërkufitar do të vazhdoj t’i jap prioritet.
“Do të ndodhë riorganizimi i Shërbimit Civil sipas ligjit, duke ndërtuar kapacitetete të reja, sikur që do të riorganizohet Bordi i Drejtorëve. Definitivisht, në katër vitet e ardhshme do të ndodhë tregimi i madh për Gjilanin”, tha ai, duke shtuar se do t’i ulin shpenzimet dhe do ta intensifikojnë Partneritetin Publiko-Privat.
Kryetari i Gjilanit, në këtë takim publik, ka theksuar faktin se në mandatin e ri qeverisës do t’i intensifikoj edhe më shumë partneritetet me organizatat e fuqishme të shteteve mike, për t’ua bërë jetën më të mirë qytetarëve.
Në fund, kryetari Lutfi Haziri i është përgjigjur të gjitha pyetjeve e kërkesave të qytetarëve, të cilat kryesisht ishin komunitare në infrastrukturë.