Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka shqyrtuar raportin e Kryetarit të Komunës për 6-mujorin e parë të këtij viti, ku janë nënvizuar sukseset dhe sfidat e kësaj periudhe.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka thënë se ndonëse është punuar në kushtet e pandemisë, megjithatë janë arritur rezultate inkurajuese dhe gëzon fakti që qytetarët u janë përgjigjur mirë obligimeve të tyre, veçmas tatimit në pronë.
‘Fatmirësisht, në këtë periudhë kemi rënie drastike të të infektuarve dhe në këtë moment që po flasim janë vetëm 25 raste aktive me COVID-19, por ajo që neve na ka shqetësuar dhe prekur thellësisht është humbja e 147 bashkëqytetarëve tanë’, ka thënë Haziri, duke shtuar se lajm i mirë është se në qershor kemi filluar me vaksinim masiv dhe deri më tani janë imunizuar 17 mijë persona, gjë që sipas ekspertëve, është e vetmja mënyrë e për t`u mbrojtur nga COVID-19.
Më tutje, kryetari Haziri ka folur për të hyrat nga tatimi në pronë, që në këtë periudhë shënojnë një rekord të bardhë prej 240 për qind, ku përfshihet edhe pagesa nga viti i kaluar – 1.1 milion euro dhe i ka falënderuar qytetarët për lojalitetin e treguar në kryerjen e obligimeve ndaj shtetit, të cilët gjithmonë kanë qenë shembulli më i mirë në nivel vendi.
Buxheti në total për këtë vit është afro 28 milionë euro dhe i shpenzuar deri tani është mbi 12 milionë euro ose 43.3 për qind. Të hyrat e planifikuara për këtë vit janë katër milionë euro, ndërsa të realizuara afro dy milionë euro.
Sa i përket sektorit të bujqësisë, Haziri ka thënë se në këtë 6-mujor janë subvencionuar mbjelljet pranverore për 402 fermerë, 360 fermerë kanë përfituar foli plastike, 37 ekonomi familjare janë përfitues të lopëve të racës simental, 50 familje me gjendje të rëndë kanë përfituar pula dhe ushqim për to, sikurse që edhe 40 familje janë përfituese të serrave komerciale.
Te aspekti social, ai ka veçuar ‘fshatin e lumtur’, projekt ky me vlerë 2.3 milionë dollarë, donacion i qeverisë së Kuvajtit, i cili do të përurohet në shtator dhe do të jetë një strehë e ngrohtë dhe e mirë për pleqtë, nënat pa përkujdesje dhe personat me nevoja të veçanta.
‘Te banimi social kemi vazhduar pagesën e qirasë për 60 familje me probleme të banimit, ndërkaq në dy vitet e fundit janë ndërtuar 30 shtëpi, derisa numri i shtëpive të ndërtuara brenda 7 vjetëve për familjet në nevojë shkon në 163’, ka thënë Haziri.
Kryetari Haziri ka folur edhe për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit po thuajse në të gjitha fshatrat e komunës së Gjilanit, ndërkohë që më 29 qershor është nënshkruar marrëveshja e mirëkuptimit ndërmjet CDC dhe ‘Hidromorava’ për përfundimin e rrjetit edhe në fshatrat e mbetura Bresalc, Ponesh, Zhegoc, Muhaxherët e Livoçit, Lladovë, Vrapçiq, Vërbicë e Kmetocit dhe anën e djathtë të rrugës qarkore.
‘Në tetor kur do të bëhet funksionalizimi i këtyre rrjeteve, asnjë fshat i komunës së Gjilanit nuk do të jetë pa ujësjellës’, ka pohuar kryetari Haziri.
Suksese të mira janë shënuar edhe në administratë, ku janë pranuar 69.297 kërkesa nga palët, ndërsa janë miratuar60.662 prej tyre, derisa 8.334 lëndë janë në procedurë, brenda afatit ligjor.
Shërbimet Publike, ndonëse me mungesë stafi, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, duke realizuar projektet e trotuareve në lagjen Dardania, rregullimin e rrugëve në lagjen Dardania, rrugën ‘7 Shtatori’, ‘Hasan Mekuli’, ‘Kadri Osmani’, kanalizimin fekal dhe atmosferik në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’, kanalizimin atmosferik në rrugën ‘Lot Vaku’, hapësirat gjelbëruese dhe parkingjet mbrapa soliterit dhe teatrit, parkingjet në lagjen Iliria, pastaj rregullimin e rrugës ‘Haqif Tetova’, rrugës në Pogragjë, hapësirat e gjelbra dhe platoja mbi lumin Mirusha – veri, rregullimin e infrastrukturës rrugore, trotuareve e ndriçimit publik në Fshatin e Lumtur, rrugën e Kumanovës, zgjerimin e rrugës në drejtim të Bujanocit, rrugës në drejtim të Prishtinës, vazhdimi i punimeve në urën e Dobërçanit, në rrugën Dobërçan-Pogragjë dhe rrugicave në Dobërçan, rregullimin e platosë së lumit Mirusha – Jugu 2 (inicimi për shpallje), rikonstruimi i rrugës ‘Adem Jashari’ dhe ‘Zija Shemsiu’ (inicim për shpallje), asfaltimi i rrugëve në fshatin Kravaricë te MOEA etj.
Edhe kultura, rinia e sporti, kanë qenë storie e suksesit gjatë kësaj periudhë. ‘Flaka e Janarit 2021’ u realizua me sukses, ani pse në kushte të pandemisë. Janë realizuar dhjetëra aktivitete kulturore, sportive e rinore, është hapur Muzeun Etnologjik, derisa shumë shpejt pritet hapja edhe e Galerisë së Qytetit.
Teatri që vazhdon të jetë tregim suksesi, ka arritur ta ruaj kalendarin kulturor edhe në gjendjen e pandemisë, duke realizuar dhjetëra shfaqje, sikurse edhe biblioteka ku është hapur këndi i leximit ‘Idriz Ajeti’.
Kryetari Haziri ka falënderuar edhe donatorët e mëdhenj, pa ndihmën e të cilëve Gjilani nuk do t’ia dilte në realizimin e projekteve të mëdha, kryesisht infrastrukturore, siç janë BERZH, Banka Investive Evropiane, USAID, Qeveria e Zvicrës (CDI, DEMOS), Qeveria e Suedisë, Qeveria e Norvegjisë, Qeveria e Kuvajtit, Qeveria e Kosovës e partnerë të tjerë.
Për më tepër, Haziri ka përmendur disa prej projekteve të mëdha që janë realizuar ose janë në realizim e sipër, gjatë viteve të fundit të qeverisjes, siç janë: projekti i rrugës Gjilan-Bujanoc (937 mijë euro), rruga e Kumanovës (2.7 milionë euro), rruga nacionale Prishtinë-Gjilan-Konçul, (49 milionë euro), impianti për trajtimin e ujërave të zeza (24 milionë euro), rruga Vërbicë-Sllovi (1.7 milion euro), rruga hyrëse-dalëse Gjilan-Livoç i Ulët (1.8 milionë euro), rrugët në fshatra e qytet (13 milionë euro), QKMF (1.4 milion euro), çarshia e Gjilanit (1.2 milion euro), vazhdimi i punimeve mbi lumin Mirusha (2.4 milionë euro), stadiumi i qytetit (1.6 milion euro), tregu i gjelbër (961 mijë euro), tregu i kafshëve (392 mijë euro) dhe të tjera.
Opozita e ka vlerësuar raportin të mangët, sepse sipas tyre nuk flet për sfidat dhe vonesat në realizimin e projekteve, derisa pozita ka thënë se raporti është i saktë, përmbajtjesor dhe gjithëpërfshirës për punët që janë bërë në këtë 6-mujor.
Duke iu dhënë përgjigje vërejtjeve të opozitës rreth punës së këtij 6-mujori, kryetari Haziri ka thënë se programet e punës nuk kalojnë asnjëherë pa vështirësi, sepse ka probleme gjatë realizimit, por është e sigurt se një punë që niset, edhe ka për t`u kryer.
‘Një pjesë e mirë e punëve janë kryer, disa janë në fazën e pranimit teknik, ndërsa disa të tjera janë në realizim e sipër, sikurse edhe tregu i gjelbër ku ka pasur pak probleme, sepse është dashur disa herë të revidohet projekti, shkaku i kërkesave të tregtarëve, por mund të them se kemi arritur të largojmë monopolin në tezga’, ka thënë Haziri, ndërkohë që i ka rikujtuar këshilltarët komunalë se shumica e programeve është dashur të përmbyllen këtë vit, por në Kosovë, gjithçka është shtyrë për 12 muaj, shkaku i pandemisë dhe uljes së dinamikës së pagesave nga qeveria.
Sa i përket vërshimeve, të cilat janë të paparashikueshme, Haziri tha se problemi nuk mund të zgjidhet përfundimisht pa u kryer impianti i ujërave të zeza, por nënvizoi faktin se Gjilani nuk rrezikohet nga ujërat atmosferikë.
Kuvendi, po ashtu ka shqyrtuar edhe për raportin financiar për periudhën janar-qershor 2021, raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2020 si dhe raportin vjetor janar-dhjetor 2020 të Komisionit Komunal të Aksionarit të NPL “Stacioni i Autobusëve”. Njëherësh, Kuvendi u njoftua edhe me një projekt të Qendrës së Kujdesit Ditor për Fëmijët me Nevoja të Veçanta ‘Pema’ që ka të bëjë me nevojën për përshtatjen e ambientit shkollor për nevojat e këtyre fëmijëve.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli paraqiti kërkesën e klubeve sportive për subvencionim dhe i kërkoi Kuvendit që ta mbështes propozimin për ndarjen e një shume prej 100 mijë euro dhe njëkohësisht Kuvendi ta formojë një komision për ndarjen e kësaj shume, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kërkesë kjo që mori përkrahje të plotë nga vendimmarrësit.
Kryesuesja e Kuvendit Shpresa Kurteshi-Emini kërkoi nga Drejtoria e Buxhetit që të angazhohet në këtë drejtim për të siguruar mjetet për subvencionimin e klubeve sportive, në mënyrë që Kuvendi t`i ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm.
Përndryshe, Kuvendi i ka nderuar me një minutë heshtje viktimat e aksidentit të autobusit me mërgimtarë, që ndodhi në Kroaci si dhe ish-këshilltaren komunale dhe anëtaren e Komitetit për Gjeodezi, Arzie Nuhiu, e cila ndërroi jetë javën e kaluar. /2LONLINEcom/