(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në konferencën e sotme për media, duke folur për gjashtëmujorin e qeverisjes lokale ka thënë se deri më tani jemi marrë me servisimin e borxheve, ndërsa nga tash e tutje do të merremi me inkasimin e borxheve që subjektet dhe individët i kanë ndaj Komunës, duke besuar gjithmonë në formulën se nuk ka Komunë të pasur me qytetarë të varfër. Haziri tha se qytetarët nuk preken, por do të nisin me subjektet e mëdha respektivisht me borxhlinjtë e mëdhenj.
Ai po ashtu tha se Gjilani ka konfirmuar katër partneritete të mëdha me donatorët siç është Komisioni Europian i cili ka miratuar projektin e parë në lagjen “Dardania” dhe kemi projektin tjetër të bashkëpunimit ndërkufitarë me Shkupin.
“Do ta funksionalizojmë GJPKT-në si mikro-regjion evropia në kuadër të bashkëpunimit me 17 kryetar të Komunave. Po ashtu jemi duke punuar me partnerin tonë GIZ – in Gjerman në fushën e arsimit me trajnimin e mësimdhënësve ne veçanti në këtë fazë që po kalojmë tash. Gjithashtu me qeverinë zvicerane në projektet e ujit të pijshëm dhe në tretmanin e ujërave të zeza dhe në investime të tjera publike. Dhe partneri i fundit i konfirmuar është bashkëpunimi me qeverinë amerikane e cila ka konfirmuar partneritetin tre vjeçar me Komunën me programin ta ndërtojmë Kosovën së bashku që parasheh edhe investime edhe ndërtim të kapaciteteve”, ka thënë Haziri.
Po ashtu, sipas tij, kanë arritur edhe nga qeveria të marrin investime kapitale shtesë si nga Ministria e Integrimeve Evropiane, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Infrastrukturës.
“Po punojmë shumë që deficitin buxhetorë, apo vrimën e zezë që e ka shkaktuar qeverisja e PDK-së me partnerët e saj, me mbuluar me punë shtesë. Deri në këtë fazë kemi arritur jashtëzakonisht shumë me i realizuar këto qëllime dhe besojmë shumë që në gjashtëmujorin e dytë ne përfundimisht do ti arrijmë objektivat tona, duke e normalizuar buxhetin dhe duke krijuar ambient më të qëndrueshëm për zhvillim ekonomik lokal që është ambicia jonë kryesore”, ka thënë Haziri.
Përndryshe, sipas tij gjatë muajit korrik së bashku me nënkryetarin do të punojnë në ri-formatizim të qeveris lokale. “Do të bisedojmë me të gjithë partnerët e koalicionit si Partinë e Drejtësisë, Vatrën, Social Demokratët dhe grupimet e tjera me të cilët ne kemi ndërtuar partneritet. Ne sillemi përgjegjshëm ndaj tyre dhe natyrisht që do të jenë pjesëmarrës të procesit që gjatë këtij muaji do të ndodhë duke pasur në konsideratë muajin e ramazanit, që i uroj të gjithë besimtarët për një solidaritet, mirëqenie, ndihmë dhe bashkëpunim mes vete”, tha Haziri.
Haziri tha se gjithashtu në fillim të javës së ardhshme do të emëron edhe drejtorin e Kulturës i cili do të jetë i ndarë nga i rinisë dhe sporteve, që është një autoritet i ri por do të subordinohet ndryshimeve në Statut. Ai do të merret me aspektin e zhvillimit të kulturës, politikave të reja menaxheriale, agjendës dhe aktiviteteve kulturore, por edhe definimin e pronës, hapësirës etj. gjithashtu edhe për sport dhe rini do të marr veprimin e njëjtë.
“Është rastësi që sot Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka vendosur që ti ndaj 100 mijë euro për politikë sociale dhe për familjet me nevojë. Kuvendi i Komunës nën kryesimin e Valentina Bunjaku – Rexhepit ka rastisur që në natën e madhe të muajit të ramazanit ti gëzon shumë familje gjilanase që presin të bahen me shtëpi dhe që presin të funksionalizohen shoqatat si Hendikosi, shurdh-memecët dhe të verbrit, por edhe rregullimin e shumë shtëpive pa dyer dhe dritare dhe gjithë ato që kanë probleme me strehim”, tha tutje Haziri.
I pari i komunës tha se po ashtu do t’i ndajnë edhe 200 mijë euro për funksionalizimin e të gjitha ambulantave në Komunën e Gjilanit. Menaxhimi atje është i pranueshëm për punëtorët dhe gjendja atje është duke u prekur përmes hapave dhe rezultateve. Do të ketë një qeverisje të re në gjitha ambulantat. “Politikat menaxheriale atje kanë dhënë rezultatet e para dhe ne jemi në mbështetje të funksionimit sa më të mirë, por edhe në mbështetje duke e vu prioritetin e parë shërbimin për qytetarët. Edhe në këtë sektor kemi bashkëpunëtor si Komisionin Europian, qeverinë amerikane, qeveria zviceriane, Caritasi i Kosovës në bashkëpunim me mbështetjen e Caritasit të Luksemburgut që po ndihmojnë këtë sektor por edhe bujqësinë në përgjithësi. Bashkë me Caritasin jemi në projektin e ofrimit të shërbimeve më të mëdha shëndetësore në Gjilan përmes shëndetësisë primare dhe këtë do ta bëjmë me kujdes dhe nën menaxhimin profesional”, tha kryetari Haziri.
Po ashtu, ai nënvizoi se kanë lëndë që pas raportit të auditimit që e kanë marrë do ti adresojnë në zyrat përkatëse për ti dhënë rekomandimet e tyre finale. “Rekomandime, që ti zgjedhin më pas organet kompetente, sepse ne nuk mund të paguajmë fatura të vjetra më shumë se tri vjet, nuk mund të paguajmë borxhe të konsumit nëpër restorante, hotele, kafiteri dhe lokale që janë jashtëzakonisht të mëdha, nuk mund të paguajmë derivate, telefoni dhe bileta udhëtimi që nuk janë të arsyetuara”, ka thënë Haziri.
E, sipas tij, edhe Administrata e Gjilanit do të duket ndryshe, numerikisht më e vogël por me shërbime më të mëdha për qytetarin. Të gjitha dokumentet e Komunës së Gjilanit do të punojnë që të jepen në një objekt të Komunës, në mënyrë që qytetari mos të humb kohë gjatë pajisjes me një dokument. Administrata do të jetë e gatshme që të përballet me një milion sfida që ka Gjilani, ka thënë kreu i komunës Lutfi HAziri. /2L ONLINE/