(2LONLINE) -Pas shkrimit autorial të Ilir Tahirit (Ose janë dy “Lutfi Hazir”-a ose dy “Kadri Vesel”-a!), anëtar i kryesisë së PDK-së së Gjilanit, botuar në Portalin 2Lonline, ka reaguar kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, të cilën po e japim më poshtë:
*
Lidhur me deklarimet e fundit të disa individëve të opozitës në Gjilan, dëshiroj të sqaroj opinionin publik:. Unë Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, deklaroj se as nuk e kam sharë e as nuk e kam takuar nënkryetarin e PDK-së, siç u proklamua nga disa individ të opozitës në Gjilan.
I rekomandoj degës së PDK-së se problemet tuaja të brendshme të mos mundoheni t’i gjuani diku tjetër sepse neve nuk na interesojnë problemet e brendshme të asnjë partie politike.
Definitivisht, po shihet ashiqare që ju keni nevojë urgjente ta takoni kryetarin e nënkryetarin tuaj, e jo ne.
Kjo është logjikë e shpifjeve dhe etiketimeve të ulta, që me shkrime e me deklarime po mundoheni të shkaktoni amulli te qytetarët, por qytetarët e Gjilanit më nuk mashtrohen me shpifje, etiketime e shantazhe siç keni bërë për gjashtë vjet të keq qeverisjes.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, është parti e madhe dhe funksionon me besim qytetar, që në zgjedhjet e fundit kemi marrë besimin e hiç më pak se 26 mijë qytetarëve.
LDK në Gjilan funksionon shumë mirë në koalicion me AAK-në, PSD-në, PD-në, KDTP-në, Lëvizjen Republikane, lëvizjen VATRA e shumë organizata të tjera.
Ju ftoj të përkrahni punët tona të hairit, që prej ditës së parë të marrjes së mandatit e deri më sot, janë realizuar shumë projekte të mira, me qeverisje të ndershme, me duar të pastra e me dyer të hapura.
Një fjalë e urtë popullore thotë: “Mos shiko çka po thotë, por shiko kush po e thotë”!
Lutfi Haziri
Kryetar i Komunës së Gjilanit