(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, së bashku me nënkryetarin Rexhep Kadriu, kryesuesen Valentina Bunjaku Rexhepi dhe drejtorët komunal kanë mbajtur sot Takimin Publik, të fundit me qytetarët.
Para një numri rekord të të pranishmëve, kryetari Lutfi Haziri ka folur për peripecitë e para që është përballur në punën e tij me të marrë mandatin, sic janë borxhet e trashëguara, borxhet kontingjente që kryesisht janë për shpronësime të lumit “Mirusha” dhe borxhet e ‘këqija’ që nuk janë menaxhuar mirë.
“2 milionë euro borxhe më pak”
“Mbi 2 milionë euro janë shlyer borxhet në këtë vit, derisa në këtë mënyrë do të vazhdojmë t’i shlyejmë të gjitha borxhet e gjetura”, ka thënë Haziri.
Kreu i Komunës së Gjilanit tha se është punuar shumë në kthimin e besimit të donatorëve të huaj sepse në këtë mënyrë zhvillohet ekonomia dhe përfitojnë qytetarët tanë.
“Kemi investime nga qeveria zvicerane kryesisht në ujëra, pastaj kemi partneritet me “Danidan” e Danimarkës, me qeverinë suedeze, pastaj Gjilani ka përfituar dy projekte të Komisionit Europian për rregullimin e parkut në lagjen “Dardania” dhe atë për bashkëpunim ndërkufitar me Komunën e Çairit nga Maqedonia. Domethënë, kemi punuar me ngulm për t’i bindur donatorët se paraja publike po menaxhohet si duhet’, tha kryetari Haziri.
Apelohen qytetarët që të paguajnë tatimin në pronë
I pari i Komunës së Gjilanit tha se aktualisht qytetarët e Gjilanit i kanë borxh në tatim në pronë Komunës së Gjilanit 9 milionë euro, duke bërë thirrje që të paguajnë obligimet qytetare, e që kjo përkthehet me investime të mëdha në të gjitha lagjet e fshatrat e Komunës së Gjilanit.
Haziri tha është lajmi i mirë që Komuna e Gjilanit ka arritur t’i thej kufijtë buxhetor të përcaktuara më herët nga qeveria, duke e rritur buxhetin komual për 4.2 milione euro.
1.2 milionë janë të destinuara për bujqësinë për vitin 2015
1.2 milion euro janë të destinuara vetëm për bujqësinë, derisa të tjerat shkojnë në arsim, shëndetësi, kulturë, sport, rini e në sektoret të tjera.
Ai tha se së bashku me deputetët e të gjitha subjekteve politike do të punohet që edhe më shumë të vijnë investimet nga qeveria, derisa nënvizoi se gjatë kësaj periudhe ka arritur ka kthej vëmendjen e Prishtinës në Gjilan, ku pritet që në vitin e ardhshëm të nis autostrada si dhe rregullimi i hyrje-daljeve të qytetit.
Mbi 7000 qytetarë janë pritur në Komunën e Gjilanit brenda vitit 2014
Kryetari i Komunës së Gjilanit pohoi se gjatë mandatit mbi 7000 qytetarë i ka pritur në Zyrën e tij dhe në drejtoritë e Komunës, ku kërkesat kryesore të tyre kanë qenë kryesisht për zgjidhjen e problemit të banimit dhe punësimin.
Vec tjerash, Haziri është shprehur se Komuna e Gjilanit ka ndarë 100 mijë euro për familjet në nevojë, ndërsa pas mbrëmjes humanitare janë deponuar afro 80 mijë euro dhe mbi 15 mijë franga zvicerane nga njerëzit e vullnetit të mirë.
Tri shtëpitë kanë nisur të ndërtohen për njerëzit në nevojë, për të vazhduar edhe më të tjera, ndërkohë që brenda pak ditësh do të nis meremetimi i shtëpive sipas kërkesave të qytetarëve.
Haziri përmendi po ashtu punët e mëdha në katërshen e madhe infrastrukturore, ndërsa ka thënë se me dinamikë edhe më të madhe do të vazhdoj t’i përmbush zotimet e tij që ta heq lloçin dhe vadat.
Ndërsa qytetarët si Shaban Terziu, Daut Ademi, Bexhet Murtezi, Fadil Ramadani, Maksut Limani dhe qytetarë të tjerë, janë interesuar kryesisht për investimet dhe projektet për lagje dhe fshatra në përgjithësi, për rregullim të rrugëve, ujësjellësit, kanalizimeve, trotuareve, rastet sociale, shërbimeve shëndetësore, brengën e punësimit etj.
Kurse nga ana e tyre kryetari Haziri dhe drejtorët e drejtorive Komunale u kanë dhënë përgjigje duke i informuar ata me punët që janë bërë, projektet të cilat janë në proces të fillimit të realizimit, dhe projektet tjera që do të nisin gjatë të ardhmes. /2L ONLINE/