(2L ONLINE) – Nën organizimin e Asociacionit të Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA) në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) dhe në partneritet me Ministrinë e Integrimeve Evropiane, është mbajtur sot në Gjilan Konferenca e Donatorëve mbi zhvillimin socio-ekonomik për rajonin e lindjes, në të cilën pos nikoqirit kryetarit Lutfi Haziri, kanë marrë pjesë edhe Christof Stock – shef i bashkëpunimit në Zyrës së BE-së në Kosovë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, zëvendësministri i Integrimeve Europiane, Ramadani Ilazi dhe ai i MAPL-së, Bajram Gecaj, Naim Ismajli – kryetar i AKK-së, Muharrem Sfarqa, kryesues i Bordit AZHR Lindje, kryetar të tjerë të 11 komunave të regjionit lindje si dhe donatorë të fuqishëm siç është Komisioni Europian e të tjerë.
Kryetari Lutfi Haziri ka shpalosur para donatorëve projektet e Komunës së Gjilanit, siç është ai për rregullimin e shtratit të lumit “Morava”, ku involvohen 6 komuna përreth, pastaj ai për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza etj, për të vazhduar më pas me prezantimet e projekteve nga ana e përfaqësuesve të komunave tjera.
“Qëllimi kryesor i këtij projekti është trajtimin e ujërave të zeza të cilat derdhen në lumenjtë e qytetit “Mirusha”, “Baja” dhe lumit “Stanishor”. Qëllim është grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza si dhe evitimin e ndotjes së ujërave sipërfaqësor por edhe atyre nëntokësor, duke intervenuar në rregullimin e shtratit të lumit “Morava e Binçës” dhe ndërtimin e impiantit që do të bënte një zgjidhje për të gjitha komunat e këtij regjioni, ujërat e të cilave rrjedhin në këtë grykë e që rëndësia është edhe ndërkufitare, sepse rrjedha e Moravës vazhdon edhe nëpër një pjesë shumë të madhe të Luginës së Preshevës dhe kjo ka një rëndësi edhe ndërshtetërore dhe ndikon drejtpërdrejtë edhe në ambient. Presim që të intervenohet sa më parë të jetë e mundur, ngase ujërat e zeza paraqesin një rrezik permanent dhe mundësi për përhapjen e ndonjë epidemi”, tha kryetari Haziri, duke shtuar se me këtë do të arrihet të përmirësohet edhe kualiteti i ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore.
Haziri ka bërë të ditur se kostoja financiare e këtij projekti është 14 milion e 700 mijë euro, ku do të participojmë me 15% të mjeteve.
Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Christof Stock, është shprehur i lumtur që është arritur të organizohet kjo konferencë regjionale me qëllim të prezantimit para donatorëve të projekteve kryesisht në infrastrukturë dhe agrobujqësi.
Ai tha sa Komunat duhet të punojnë në projekte të përbashkëta, sic bie fjala për projektin e lumit “Morava” që prekë 6 komuna të lindjes si dhe projekte të tjera që do t’ua bënin jetën më të mirë qytetarëve.
Muharrem Sfarqa, kryetar i Ferizajt dhe njëherit kryesues i bordit AZHR Lindje, është shprehur se vendet e BE-së kanë investuar në regjionin e lindjes në shumë projekte që janë vitale për përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke shfaqur shpresën se këtë ndihmë do ta kemi edhe në të ardhmen.
Mbështetje programeve rajonale i ka dhënë edhe ministrja e Tregëtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami,si dhe zëvendësministri i MAPL-së, Bajram Gecaj dhe ai i Integrimeve Europiane, Ramadan Ilazi.
Pas përfundimit të prezantimit të projekteve kryesisht në agrobujqësi dhe infrastrukturë nga ana e 11 Komunave të Lindjes, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se mbajtja e Konferencës së Donatorëve është ditë e shpresës së madhe për këtë regjion.
“Kjo konferencë me donatorë është kulmim i një angazhimi të përbashkët ndër-komunal me komunat e këtij regjioni. Ne kemi arritur që të paraqesim projektet kryesore, çdo Komunë nga katër programe, ndërsa nga një është prezantuar para donatorëve. Sot kishim donatorë të fuqishëm, është Komisioni Europian i cili bartë të gjithë buxhetin e shteteve të BE – së, zyra në Prishtinë, edhe sa i përket programit IPA II, është një shancë e mirë për investime në kuadër të vërshimeve në Ballkanin Perëndimor, regjioni ynë të përfitoj rregullimin e shtratit të lumit “Morava e Binçës”, si njëra nga problemet kryesore në vërshim dhe të gjitha programet tjera”, ka thënë Haziri.
Ai theksoi se sot janë prezantuar 48 projekte kapitale të cilat ndikojnë shumë në regjionin e lindjes dhe këtë pjesë të Kosovës
“Poashtu do të jemi të kujdesshëm t’i përputhim programet tona me politikat sektoriale të qeverisë së Kosovës, e cila ka paralajmëruar rishikim buxhetor për këtë vit dhe rishikim të Kornizës Afatmesme Buxhetore për tri vitet e ardhshme, pra do të ketë ndryshim të planifikimit për tri vitet e ardhshme. Ne do ta bindim qeverinë dhe donatorët me relevancën e investimeve në komunën e Gjilanit. Kjo konferencë për regjionin e lindjes është ditë e shpresës së madhe që fillon prej mbjelljes dhe grumbullimit të pemëve dhe perimeve të tjera, deri te rregullimi i hekurudhës në Ferizaj, që është një projekt kapital dhe shumë i madh infrastrukturor, ndërsa Gjilani edhe më tutje mendon se largimi i “vadave”, rregullimi i ujërave të zeza dhe tretmani i tyre është problemi kryesor që duhet të zgjidhet bashkërisht. Çdo komunë, ka projekte të rëndësishme për komunën përkatëse. Sot janë prezantuar 48 projekte kapitale të cilat ndikojnë shumë në regjionin e lindjes dhe këtë pjesë të Kosovës”, ka përfunduar kryetari Haziri./2L ONLINE/