(2L ONLINE) – Janë 3360 maturantë të Komunës së Gjilanit që i janë nënshtruar sot testit të maturës, i cili do të jetë përcaktues për profilizimin dhe të ardhmen e tyre. Për të parë nga afër mbarëvajtjen e procesit të testimit, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi dhe drejtori i DKA-së Nazmi Musa, kanë vizituar sot maturantët në “Gjimnazin e Ri”.
Kreu i Komunës së Gjilanit u ka uruar sukses nxënësve që iu nënshtruan testit, duke besuar se mesatarja që do të dalë nga ky test do të jetë tregues i mirë i rezultatit që do të na gëzoj të gjithëve.
“Falënderoj Drejtorinë e Arsimita, arsimtarët, personelin për organizimin. Maturantët sot po hyjnë në një test, i cili, determinon për të ardhmen e tyre. Besoj shumë që mesatarja që do të dalë nga ky test do të jetë një tregues i mirë i rezultatit që do të na gëzojë të gjithë neve, prindërit, nxënësit, arsimtarët, por edhe aty ku ka nevojë të bëhet përmirësime për vitin e ardhshëm shkollor. Jam shumë i lumtur që në ditët e çlirimit të Gjilanit mund ta them këtë sepse ka shumë për t’u bërë në sektorin e arsimit, duhet të japim shumë buxhet dhe mund në mënyrë që gjeneratat e reja të jenë ata që kanë me marrë jetën në Kosovë për të edukuar mirë dhe të jenë konkurrent gjithmonë”, është shprehur kryetari Haziri.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit Nazmi Musa u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit, duke mos pasur asnjë vërerjte sa i përket procesit të testimit të sotëm.
“Kësaj here testi është përgatitur në mënyrën më të mirë, përkundër asaj se kemi dy palë maturantë, të klasave të 12-ta dhe të 13-ta. Është një numër dhe një përgjegjësi bukur e madhe e organizatorëve, megjithatë Drejtoria e Arsimit, që nga mëngjesi, duke i përcjellë ne vetë komisionarët tanë për në Ferizaj, ndërsa të Prishtinës ne i kemi pranuar në Gjilan, i kemi shprëndarë në 24 qendra të testimit dhe çdo gjë ka filluar me kohë, në mënyrë të rregullt, mënyrën më të mirë dhe deri tash nuk kemi asnjë vërejtje sa i përket procesit të sotëm të testimit”, tha Musa.
Testi i maturës shtetërore përmbëhet në dy pjesë: pjesa e parë e testit është mbajtur sot, ndërsa pjesa e dytë do të mbahet me 28 qershor, e më pas do të bëhet shpallja se rezultateve. /2L ONLINE/