Lutfi Haziri kryetar aktual i degës së LDK-së së Gjilanit, e cila në këtë komunë është subjekt i dytë për kah fuqia, ka bërë të ditur se me këto zgjedhje brenda partiake synohet fuqizimi i LDK-së, si parti e vlerave, duke e kthyer atë në forcë të parë politike në këtë komunë.
Ndryshe, Haziri ka ftuar anëtarësinë e LDK-së, simpatizuesit e saj por edhe qytetarë të tjerë që të jenë aktiv dhe ta japin kontributin e tyre në këtë proces zgjedhor të brendshëm, për ta rikthyer LDK-në e Gjilanit në forcë të parë politike.
Ai tha se sot formalisht kryesia e LDK-së ka shpall zgjedhjet brenda partisë në Gjilan dhe se në javën e ardhshme, do të krijohen edhe trupat punues që do të merren me monitorimin e zgjedhjeve, do të bëhen komisione përkatëse dhe trupat tjerë që janë në funksion të zbatimit të procesit zgjedhor.
I pari i LDK-së së Gjilanit, ka bërë me dije se në tetor pritet përfundimi i procesit nëpër nëndegë dhe se dega e Gjilanit pastaj do të hap garën, sipas kritereve, edhe për konkurrencë të brendshme për udhëheqës dhe udhëheqje.
Haziri tha se pret që procesi të jetë i hapur, nga do të dal një lidership i ri në Gjilan që do të jetë një garantues i suksesit të LDK-së në të ardhmen.
I pyetur se si i komenton deklaratat publike të një zyrtari të lartë të LDK-së së Gjilanit se është i padëshirueshëm në Gjilan, Haziri ka mohuar që LDK të ketë probleme kadrovike, për të shtuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e politikës së LDK në Gjilan dhe se do të mbetet i lidhur me Gjilan përjetësisht.
Ditë më parë Arben Mehmeti, një zyrtar i lartë i LDK-së së Gjilanit, kishte deklaruar për një ditore, se LDK–ja e Gjilanit duhet të udhëhiqet nga Gjilani e jo nga Prishtina, ndërkohë që Haziri ka lënë të kuptohet se nuk qëndron një deklarim i tillë në atë formë por e ka hedhur fajin te media që e ka publikuar shkrimin e tillë, duke pretenduar se ka pas rregullime nga ana e redaksisë së gazetës.
Përndryshe, kreu i LDK-së së Gjilanit nuk ka hezituar ta kritikojë edhe pushtetin aktual në Gjilan që udhëhiqet nga PDK, duke thënë se Gjilani po vazhdon të jetë me problemet e saja, nuk po shërohet lehtë deh se ka nevojë për pjesëmarrje të qytetarëve, që njerëzit të përfshihen në jetë publike dhe politike në mënyrë që qyteti por edhe regjioni të funksionojë normal dhe të jetë në shërbim të qytetarëve. /2lonline/