Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë dhe të qëndrueshme gjendjen e sigurisë në Gjilan, përfshirë edhe gjendjen e pandemisë, me të cilën po përballemi që prej marsit e këndej.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, tha se deri më sot në orën 10:00, kur kemi bërë vlerësimin e situatës, në Gjilan janë 119 raste aktive me COVID 19, prej tyre 4 arsimtarë, të cilët nuk mund të paraqiten në shkolla derisa të shërohen.
Përndryshe, kryetari Haziri tha se duhet kujdes i madh për të menaxhuar situatën pandemike në shkolla, ku prej sot në mëngjes lëvizin prej 22-25 mijë nxënës, ndërsa në tetor pritet të rikthen edhe rreth 12 mijë qytetarë që lidhen me studime në universitetin publik dhe kolegjet private.
“Kjo është periudha e lëvizshmërisë më të madhe brenda vitit, përveç gjatë kohës kur vijnë e shkojnë kurbetçarët, të cilët e rrisin gati për 50 për qind qarkullimin në qytet”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se rezultatet e kësaj faze pritet të shihen pas dy javësh.
Sa i përket Spitalit të Përgjithshëm, kryetari Haziri tha se atje gjendja është më e lehtë, meqë aktualisht janë 24 të spitalizuar, për dallim nga 58 raste sa ishte numri më i lartë i personave në trajtim në këtë qendër spitalore, gjë që ka ndikuar në rëndimin e gjendjes në disa reparte të tjera, ku trajtohen sëmundjet kronike për shkak se është dashur t`u jepet përparësi rasteve me COVID.
“Përgjithësisht është një rënie e lehtë e rasteve, por duhet të presim se çka po na sjell shtatori, sepse ky muaj është përcaktues se si dhe në çfarë shkalle do ta përballojmë gjendjen me COVID”, tha Haziri.
Ai kërkoi koordinimin më të mirë të mekanizmave institucionale, duke nënvizuar faktin se gjatë kësaj kohe ka rritje të dhunës në familje dhe ky shtim i rasteve konsiderohet edhe si pasojë e gjendjes pandemike.
Ndërkaq, një informatë të plotë për gjendjen e pandemisë, prej fillimit e deri më tani e ka paraqitur nënkryetari Arbër Ismajli, ndërsa Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor, ka folur për aspektin e sigurisë në komunën e Gjilanit, duke thënë se gjendja përgjithësisht është e qetë dhe e menaxhueshme.
Halit Rexhepi, kryesues i KKSB tha se falë angazhimit të kryetarit të Komunës, Komitetit të Emergjencës si dhe mekanizmave tjerë institucionalë, gjendja është menaxhuar mjaft mirë deri tani. /2LONLINE.com/