”Me besim në Zot, Familje e Shtet, Kosovës, Gjilanit e Anamoravës do t’ia heqim depresionin e thellë politik e ekonomik. Është në nderin tim që të jem sërish pjesë e listës fituese të LDK-së për Kuvendin e Republikës. Bashkë me liderin tonë, Prof. Dr. Lumir Abdixhiku, kolegët nga Gjilani, Anamorava dhe krejt Kosova, Kosovën do ta bëjmë vend të jetueshëm e të dinjitetshëm për të gjithë”, thotë Lutfi Haziri, kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror.
Ai tha se vota me 9 shkurt për listën e LDK-së, është votë për ruajtjen e Republikës, për mirëqenien e qytetarëve, për ta nxjerr vendin nga ky depresion i thellë politik e ekonomik, të cilët për katër vjet e instaloi qeveria në largim.
“Në veçanti, unë, bashkë me Lirije Kajtazin, Valentina Bunjaku-Rexhepin, Avdyl Aliun, Bardhyl Sylën dhe Besim Gudën, do të jemi zëri më i fuqishëm i interesave të Gjilanit e Anamoravës në Kuvend të Republikës. Gjilanasit dhe qytetet tjera personalisht më kanë bërë nderin jetësor, duke më bërë nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Ju falënderoj përjetë për mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj meje dhe LDK-së”, ka thënë Lutfi Haziri.
Haziri ka kërkuar mbështetjen edhe më të madhe sepse, siç ka thënë ai, “më 9 shkurt votojmë edhe për Komunën e Gjilanit dhe për Kuvendin e Republikës. Besimin do t’ua kthejë me përgjegjësi edhe më të madhe në punë”. /2LONLINE/