Nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, është mbajtur sot takimi i Komisionit emergjent të Gjilanit për përcjelljen e masave për parandalimin e përhapjes së Coronavirus COVID-19, ku janë të përfshira të gjitha institucionet komunale e regjionale, sikurse edhe ndërmarrjet publike.
Pas takimit, Haziri tha se nuk ka vend për panik, por kërkoi kujdes të shtuar nga ana e qytetarëve.
“Rekomandimet tona për qytetarët janë që të ruhen nga kontaktet e drejtpërdrejta, të kujdesen që të mos shtrëngohen duart dhe t’i lëmë anash përqafimet. Të komunikojmë më shumë me zemër. Pra, duhet të rritet kujdesi. Nuk ka nevojë për panik e asnjë lloj shqetësimi sepse furnizimi me mallra është i rregullt. Ta kalojmë këtë situatë me solidaritet”, ka deklaruar Haziri, pas takimit.
Ai ka kërkuar nga bashkatdhetarët që kanë ardhur, që të vetëizolohen në shtëpitë e tyre, derisa të ketë konstatim të saktë nëse janë prekur nga COVID19.
“Të jeni të sigurtë se Komuna, bashkë me institucionet tjera relevante, do ta menaxhojë këtë situatë në mënyrën më të mirë. Bashkëpunoni me ne, lajmëroni rastet me kohë dhe ekipet tona do të vinë në shtëpitë tuaja. Çdo lloj shërbimi online, kemi mundësi t’i kryejmë, përshirë ato të gjendjes civile etj”, ka shtuar Haziri.
“Përkundër kësaj, jetoni normalisht, por me kujdes. Nuk ka nevojë për kurrëfar shqetësimi”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Gjatë ditës do të zhvillohet një takim me kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve, për t’u koordinuar sa më mirë në përballimin e kësaj situate.
Kryetari Haziri tha se është njoftuar nga policia e shtetit që nuk ka pasur asnjë rast të shkeljes së qarkullimit të qytetarëve drejt Vitisë.
Për çdo rast, qytetarët mund të kontaktojnë këta numra, të cilët janë në dispozicion për 24 orë: 112, 192. 193 dhe 194.
Qendra e Komisionit emergjent i Gjilanit, është vendosur të jetë në konviktin e shkollave të mesme, ku prej aty do të menaxhohet kjo situatë.