Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ditëve të fundit kjo komunë ka numër më të vogël të të infektuarve me COVID-19, por ka apeluar qytetarët që të vazhdojnë t’iu përmbahen rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë.
“Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 po angazhohet cdo ditë në vlerësim ditor dhe në parandalim të përhapjes së virusit. Këtë javë kemi numër më të vogël të të infektuarve dhe numër më të madh të të shëruarve, por nuk do të thotë që është ul rreziku i infeksionit. Apeloj qytetarët që të vazhdojnë t’i bartin maskat në rrugë dhe në ambiente publike, ta mbajnë distancën dhe higjienën personale”, ka thënë Haziri, në konferencën për media të së premtes.
Ai ka uruar qytetarët me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, duke kërkuar nga ta që të festojnë me dinjitet dhe të mos grumbullohen në kohë pandemie.
Ai njoftoi se janë paraparë disa aktivitete me 28 nëntor, por që këtë do ta bëj Komuna me grupe prej pesë vetash.
Gjendja e përgjithshme e Gjilanit me COVID-19 është si vijon: Nga 6469 teste, 2497 persona kanë rezultuar pozitivë, 2016 të shëruar, 409 raste aktive, 72 të vdekur, 77 në hospitalizim dhe 186 mostra në pritje. /2LONLINE.com/