Në takimin me shefat e grupeve të Kuvendit Komunal, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka biseduar lidhur me riorganizimin e administratës, përfaqësimin gjithpërfshirës politik të përfaqësimit në Kuvendin e Komunës dhe njëkohësisht kanë debatuar edhe rreth ndryshimeve statutare.
Haziri ka paralajmëruar se nga këto takime do të nxjerrin rekomandime të qarta lidhur me planifikimin vjetor të punëve për vitin 2018 dhe shtrirjen e përgjegjësisë, ndarjen e detyrave dhe obligimeve në të gjitha institucionet komunale si në rrafshin legjislativ, po ashtu edhe në atë ekzekutiv.
Ai, po ashtu, ka bërë të ditur ofertën e tij të gjithpërfshirjes politike, civile dhe profesionale në ekzekutiv që në harmoni me grupimet politike të ketë konsensusin e plotë në shërbim të qeverisjes së përbashkët për qytetarët e Gjilanit dhe udhëheqje të projekteve konform ligjit me një efikasitet dhe dinamikë të shtuar të punës.
I pari i Gjilanit, ka paralajmëruar fuqizim të Kuvendit të Komunës dhe trupave të tij në raport me ekzekutivin, për të monitoruar dhe kërkuar raport nga drejtorët komunal dhe përgjegjësit e njësive në mënyrë periodike për punën që e bëjnë dhe për sfidat dhe pengesat që mund t’i kenë gjatë punës.
Me këtë rast kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini, ka potencuar faktin që komisioni statutar tashmë ka përpiluar draft statutin e Komunës së Gjilanit, si akti më i lartë, për miratim në Kuvendin e Komunës.
Ajo tha se janë duke pritur ndryshimet statutare për të vazhduar tutje me themelimin e komiteteve të Kuvendit dhe grupeve të tjera për të vazhduar me realizimin e planit të punës së Kuvendit për vitin 2018.
Nga ana e tij Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve Komunal të LDK-së dhe Teuta Suliqi këshilltare (LDK), kanë falënderuar Hazirin për këtë formë të takimeve që po realizon me institucione lokale dhe grupe të tjera të Komunës së Gjilanit për një qeverisje gjithpërfshirëse në të gjitha institucionet
Arianit Sadiku nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Shefik Surdulli nga PDK, e kanë përshëndetur këtë iniciativë të konsultimit të gjerë për statut, por edhe për riorganizim të administratës lokale.
Ata kanë ofruar bashkëpunimin e tyre dhe përkrahjen maskimale në kuadër të ligjit dhe interesave të qytetarëve të Gjilanit, gjithnjë duke respektuar fuqinë politike të secilit subjekt politik pas çertifikimit.
Edhe Ibish Ibishi, shef i grupit të këshilltarëve të AAK dhe Arta Haziri-Nuhiu, asambleiste (AAK), i kanë dhënë mbështetje përcaktimit të kryetarit dhe janë shprehur të vendosur ta mbështesin këtë formë në kuadër të konsultimeve në takime të tjera brenda legjislaturës së Kuvendit, gjithnjë duke mbështetur idenë dhe fokusin e kryetarit për gjithpërfshirje.
Përndryshe, gjatë ditës së sotme, por edhe ditëve në vijim, do të mbahen takime të tjera me grupe të caktuara në funksion të propozimeve të reja për riorganizim, rritje të efikasitetit dhe dinamikës në punë, por edhe ndryshimeve statutare.