(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, të cilin e ka informuar për mbarëvajtjen dhe gjendjen në përgjithësi të Komunës së Gjilanit.
Me këtë rast, kryetari Haziri, pasi e ka falënderuar për vizitën, ka thënë se e ka njoftuar ministrin Petrovic për disiplinën e zbatimit të ligjit dhe ligjshmërisë si dhe për disiplinën e ashpër buxhetore e financiare që ka ndërmarrë për shkak të borxheve që janë krijuar nga ish-pushteti.
“Sot e prita zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Pushtetit Lokal, është njëra nga vizitat e mira, pasi për këto 8 ditët e fundit Gjilani i ka pasur në vizitë 3 ministra. Zëvendëskryeministrin Petrovic, sot e njoftova për gjendjen në Komunë dhe besojmë se si ministër me autoritet ligjor mund të na ndihmojë dhe mund të ndikojë në përballimin e gjendjes që e kemi këtu. Në përgjithësi, në dy çështjet kryesore që unë e njoftova është disiplina në zbatimin e ligjit dhe ligjshmërisë dhe të gjitha akteve dhe lidhjen drejtpërdrejt me implementimin e zgjedhjeve që nënkupton konstituimin e Asamblesë Komunale, funksionimin dhe funksionalizimin e organeve të Komunës dhe e dyta e njoftova zëvendëskryeministrin Petrovic për disiplinën e ashpër buxhetore, financiare që komuna ka ndërmarrë, me ristrikcione të mëdha për shkak të borxheve të parregullta të krijuara dhe ngarkesës që sot e kemi”, ka thënë kryetari Haziri.
Kryetari Haziri është shprehur se ia ka paraqitur z. Petrovic një plan konkret për investime në Gjilan të projekteve me interes të veçantë, ndërsa ky i fundit parimisht i ka dhënë mbështetje.
Ndërsa zëvendës-kryeministri dhe njëherit Ministër i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, ka falënderuar kryetarin e Komunës Haziri për pritjen që i ka bërë pas zgjedhjeve të mbajtura së fundmi dhe e ka uruar për përkrahjen e marrë nga qytetarët e Komunës së Gjilanit, duke i ofruar atij mbështetjen e Ministrisë që ai drejton për punë të përbashkëta në të ardhmen.
“Ministria e Pushtetit Lokal dhe unë si ministër i kësaj ministrie, jam i gatshëm që si në çdo Komunë të Kosovës, poashtu edhe në Komunën e Gjilanit do të jemi Ministri që do të ndihmojmë në rritjen e kapaciteteve komunale, pastaj rritjes së asaj që është sa më me vlerë dhe sa më me kualitet, për të mirën e qytetarëve të Gjilanit. Kryetari me bashkëpunëtorët e tij më ka informuar lidhur me atë se çfarë ka gjetur në Komunë. Jemi dëshmitarë të asaj se kryetari me ekipin e vet ka hasur në atë se Komuna nuk ka qenë në mënyrën më të mirë. Ne sigurisht se do të angazhohemi që kryetarit, përkatësisht Komunës së Gjilanit si ministri t’i ofrojmë projekte si dhe investime sa më të suksesshme, që do ta përmirësojnë – forcojnë, kualitetin e punës këtu, në të mirën e qytetarëve të saj. Unë shpreh dëshirën për pritje sa më të mëdha, kuptohet në aspektin pozitiv dhe në këtë Komunë të jem përherë i pranishëm kur këtë e kërkon nevoja”, ka thënë ndër të tjerash ministri i Pushtetit Lokal Slobodan Petrovic./2lonline/