(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se po e nxjerr gradualisht Gjilanin nga lloçi dhe vadat dhe se dëshmi për këtë janë punët e mëdha infrastrukturore që po realizohen gjithandej Komunës së Gjilanit, në qytet e fshatra, e veçanërisht në rregullimin e shtratit të lumit “Baja”, në lagjen “Dheu i Bardhë”.
Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët komunal, ka vizituar sot punimet në rregullimin e shtratit të lumit “Baja”, ndërsa është shprehur se pas përfundimit të këtij projekti banorët e kësaj lagjeje nuk do të vuajnë më nga vërshimet pas të reshurave atmosferike.
“Premtimi im publik për realizimin e katërshes së madhe të prioriteteve infrastrukturore është duke u zbatuar në praktikë. Ashtu sic kam thënë, gradualisht po e nxjerrim Gjilanin nga lloçi dhe vadat. Jam shumë i kënaqur me dinamikën dhe cilësinë e punimeve në projektin e lumit “Baja”, ku pas përfundimit qytetarët e kësaj ane do jetojnë dinjitetshëm dhe nuk do të rrezikohen nga vërshimet. Me këtë logjikë të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë do të vazhdojmë gjatë mandatit qeverisës”, ka thënë kryetari Haziri.
Të gëzuar për realizimin e këtij projekti janë shprehur banorët që jetojnë afër lumit “Baja”, të cilët e falënderuan kryetarin Lutfi Haziri që njëherë e përgjithmonë e ka eliminuar problemin e madh të vërshimeve në këtë pjesë të qytetit.
Ky projekt ka një gjatësi prej 480 metrash, që nis prej rrugës “Abdullah Presheva” për të vazhduar deri tek burimi i lumit “Baja”.
Pasi të përfundohet kanalizimi atmosferik dhe mbulimi i tij, do të shtrohen kubëza të betonit, ku do të mund të shfrytëzohet si shëtitore nga qytetarët. /2L ONLINE/