(2L ONLINE) – Drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Sokol Haziri me bashkëpunëtorët e tij kanë inspektuar punimet në rregullimin e ndriçimit publik në fshatin Gadish, ndër zonat më të largëta nga qyteti i Gjilanit.
Me këtë rast drejtori Haziri ka thënë se brenda javës së ardhshme do të përfundoj përfshirja e të gjitha fshatrave, lagjeve dhe zonave të banuara me ndriçim publik.
“Brenda javës së ardhshme do të bëhet përfshirja me ndriçim publik i të gjitha fshatrave të Komunës së Gjilanit por edhe i lagjeve të ndryshme në qytetin e Gjilanit. Kemi përfshirë tërë territorin e Komunës së Gjilanit me ndriçim, kudo kah janë duke banuar gjilanasit, me qëllim që të gjithë banorëve t’u krijohen kushte më të mira për jetesë. Tashmë jemi në përfundim të kësaj shtylle të premtuar nga kryetari Lutfi Haziri. Tërë zonat e Komunës së Gjilanit do të jenë të mbuluara deri kah fundi i javës së ardhshme. Aktiviteti ynë është shtri pos në qytet edhe në fshatrat më të skajshme në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë të përfshihen me ndriçim. Ky projekt është i kushtueshëm, po ashtu ka edhe kosto të mirëmbajtjes së tyre që për Komunën është e kushtueshme, mirëpo interesi qytetarë është më i madh dhe kështu do të vazhdojmë”, ka thënë drejtori Haziri.
Ai poashtu ka thënë se faza e ardhshme është efiçienca, në mënyrë që mirëmbajtjen ta kemi më të lehtë, karshi vlerës së energjisë së harxhuar.
Ndërsa, Ramush Bajrami dhe Refik Ajvazi nga fshati Gadish, kanë thënë se janë tepër të gëzuar me këtë investim që po bëhet në fshatin e tyre dhe fshatrat përreth.
“Ne jemi shumë të gëzuar me këto investime që po ndodhin. Të gjithë ne kemi fëmijë dhe kur ata kthehen nga shkolla gjatë mbrëmjes tashmë do ta kenë shumë më të lehtë udhëtimin sepse kanë ndriçimin nëpër gjithë fshatin. Kjo i jep një forcë banorëve të këtushëm që edhe më me vullnet të jetojnë në këto pjesë, sepse investimet po vijnë dhe kushtet për jetesë po bëhen përditë e më të mira”, kanë thënë ata. /2L ONLINE/