Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se së shpejti kësaj komune do t’i shtohet kapaciteti i ujit të pijshëm për 25 litra për sekond.
Haziri e bëri të ditur lajmin pas vizitës së punimeve në hapjen e tre puseve të reja në kazerëm e Batalionit të Shpejtë të FSK, së bashku me drejtorin e kompanisë regjionale të ujit Hidromorava, Muhamet Suliqi.
“Shumë shpejtë do të furnizohemi nga këtu me ujin e pijshëm me kapacitet shtesë prej 25 litra për sekond. Me mjetet e ndara prej 200 mijë eurosh nga ana e Komunës dhe Hidromoravës, po bëjmë hulumtimin edhe në lagjen Fidanishte, ku shpimet e reja shpresojmë të na sjellin rezultat për ta zbutur situatën emergjente të furnizimit me ujë të pijshëm”, tha Haziri.
Ai ka apeluar tek qytetarët që të vazhdojnë ta kursejnë ujin e pijshëm për ta përballuar gjendjen.
Drejtori i kompanisë regjionale të ujit Hidromorava, Muhamet Suliqi, tha se beson që shumë shpejtë do të aktivizihen këto puse, ndërkaq nga java e ardhshme do të kalohet në Fidanishte për hapjen e puseve të reja.
“E falënderoj kryetarin Haziri për mbështetjen që nga dita e parë që është shpallë situata emergjente. Aktualisht po furnizohemi prej katër burimeve, nga penda e Përlepnicës, “Guri i Hoxhës”, në burimin e ujit në fshatin Velekincë dhe te “Baja”thotë ai.