Bordi i Drejtorëve i Komunës së Gjilanit, në mbledhjen e udhëhequr nga kryetarit Lutfi Haziri, ka diskutuar sot një sërë çështjesh të rëndësishme, ku temë qendrore ka qenë përgatitjet për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor dhe menaxhimi i situatës pas reshjeve të shumëta të borës.
Në mbledhje është raportuar për intervenime të vazhdueshme rrugët e qytetit dhe të gjitha fshatrat, ku u konstatua se të gjitha rrugët janë të hapura për qarkullim të qytetarëve gjithandej territorit të komunës.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vlerësuar lartë angazhimin dhe mobilizimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe asaj për Mbrojtje dhe Shpëtim, duke thënë se Gjilani është bërë shembull në Kosovë sa i përket menaxhimit të mirë të situatës pas reshjeve të mëdha të borës.
Gjatë këtij takimi të Bordit të Drejtorëve, u theksua se të gjitha institucionet parashkollore, shkollat fillore dhe ato të mesme janë të gatshme për fillim të mbarë të gjysmëvjetorit të dytë, duke u potencuar se secili objekt shkollor është i pajisur me nxemje funksionale.
Kryetari Lutfi Haziri, me këtë rast ka uruar gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin të mbarë të gjysmëvjetorit të dytë, duke riktheksuar se sektori i arsimit vazhdon të jetë prioriteti i parë i qeverisjes me qëllim të ngritjes së nivelit të dijes për nxënësit dhe nxjerrjen e kuadrove, që do të jenë krenaria e Gjilanit dhe e Kosovës.