/2L ONLINE/ – Sokol Haziri, që nga sot edhe zyrtarisht bëhet pjesë e PDK-së. Atë e ka mirëpritur kreu i PDK-së së Gjilanit Zenun Pajaziti i cili i ka uruar mirëseardhje atij dhe një grupi tjetër të cilët po ashtu nga sot veshën petkun e këtij subjekti politikë. I pari i PDK-së, së Gjilanit, Zenun Pajaziti tha se ardhja e Sokol Hazirit në PDK është krejtësisht e natyrshme, që i ofron mbështetje të madhe PDK-së, ndërsa ka vlerësuar pozitivisht sfondin e tij të deritanishëm intelektual dhe profesional.
Ai i ka premtuar Hazirit, por edhe të tjerëve, që sot u bënë pjesë e PDK-së, se do të jenë pjesë e pandashme e PDK-së dhe së bashku do të punojnë për hartimin e një oferte të re për të cilën ka nevojë shumë Gjilani dhe qytetarët e tij.
Pajaziti, i cili edhe vet erdhi në krye të PDK-së së Gjilanit para pak kohësh , ka thënë se marrja e timonit të PDK-së në Gjilan ka qenë kërkesë e strukturave partiake por edhe e qytetarëve të Gjilanit të cilët nuk janë të kënaqur me atë që po ndodh deri më tani me komunën e tyre.
Ndërsa, Sokol Haziri tha se po i bashkohet PDK-së bashkë edhe me familjarë , miq e shokë për të rrugëtuar bashkë me të tjerët në PDK sepse beson në ta, në projekte të mira, në projekte zhvillimore. Ai tha se edhe më parë ka shprehur hapur përkrahjen për punë të mira të PDK-së.
Ndërkohë që ka qenë kritik i ashpër i pushtetit aktual në Gjilan duke thënë se kjo komunë nuk po qeveriset mirë.
“Do të jemi bashkë pasi Gjilani ka nevojë për një qeverisje të mirë. Gjilani ka nevojë për një qeverisje të mirë, për një ofertë të re, sepse aktualisht Gjilani nuk qeveriset, por sundohet”, ka thënë Haziri.
Ai nuk la pa përmendur as faktin që të shtunën në Gjilan do të ketë protestë ku pjesë e saj do të jetë edhe AAK, ish subjekti i dikurshëm i tij, që në anën tjetër është pjesë e pushtetit, duke thënë se ai përherë ka qenë institucionalit dhe kurrë nuk e ka parë veten, duke i gjuajtur me gur institucionet.
Edhe Haziri premtoi se do të punojnë bashkërisht me, tani bashkëpartiakët e rinj, në ofertën e re për qytetarë.
Përndryshe, kreu i PDK-së Zenun Pajaziti ka folur edhe për angazhimet konkrete të PDK-së, ka vlerësuar lartë performancën e anëtarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga të cilët ka kërkuar që të ofrojnë mbështetje për të gjitha punët e mira që bëhen, ndërsa të jenë të pakompromis ndaj të gjitha të këqijave, keqqeverisjes, dështimeve, korrupsionit… /2L ONLINE/