(2L ONLINE) – Lutfi Haziri, kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, ka bërë bashkë të gjitha strutrurat e partisë, duke filluar nga Kryesia, kryetarët e nëndegëve, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë, si parapërgatitje për zgjedhjet nacionale të 8 qershorit.
Ndërsa të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe kandidatët e LDK-së nga Gjilani: Lirije Kajtazi, Fatmir Rexhepi, Sabit Rrustemi, Murat Hoxha e Naim Behluli, të cilët morën mbështetjen nga të gjitha strukturat LDK-së, duke u zotuar se do të punojnë shumë për ta bërë fitoren edhe më të madhe.
Duke folur para të pranishmëve, Haziri tha se fryma konsensuale dhe e unifikimit do ta përcjellë LDK-në edhe në këto zgjedhje.
“Fryma konsensuale dhe unifikimit e cila mbretëron në Degën e LDK-së na bënë që jemi fitues të mëdhenj edhe në zgjedhjet nacionale. Domosdoshmërisht do ta rrisim votën dhe ta bëjmë fitoren në këto zgjedhje edhe më madhështore sepse i kemi kandidatët pakrahasimisht më të mirë se të tjerët. LDK-ja e Gjilanit do ta mbështesë kthesën e madhe historike në krye me kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Koëvës Isa Mustafa, për Gjilanin dhe Anamoravën”, është shprehur Haziri.
Ai tha se “gjilanasit më shumë se kurrë do të rreshtohen në vargun e gjatë të ushtarëve të Ibrahim Rugovës për ta bërë fitoren plebishitare më 8 qershor”.
Kandidatët e nominuar në fjalën e tyre, kanë falënderuar strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbështetjen e fuqishme, duke u zotuar se me fitoren e LDK-së, do të jenë zë i fuqishëm i Gjilanit dhe Anamoravës në Kuvendin e Kosovës dhe në këtë mënyrë do të kthehet vëmendja e Prishtinës që përkthehet me investime të mëdha.
Më pas është mbajtur mbledhja e Shtabit të LDK-së nën udhëheqjen e kryetarit Haziri, për t’u koordinuar për aktivitetet në terren. /2l Online/