(2L ONLINE) – Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, është mbajtur sot Akademia përkujtimore në shënim të 70-vjetorit të masakrës së Gjilanit. I pranishëm në këtë ngjarje ka qenë kryetari Lutfi Haziri, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, familjarë të heronjve të kombit si dhe përfaqësues nga të gjitha nivelet nga jeta institucionale.
Në fjalën e tij, kreu i Komunës Lutfi Haziri tha se Gjilani sot nderon kolektivisht të gjitha viktimat, martirët, dëshmorët, heronjtë dhe njerëzit që kanë kontribuar dhe kanë qenë sinonim i lirisë, pavarësisë dhe bashkimit të shqiptarëve.
Haziri bëri publik dekretin e Presidentës së Kosovës, e cila ia ka ndarë “Urdhrin e Lirisë” heronjve të kombit, Esat Ymër Berishës dhe Halim Oranës.
“Jam i nderuar, që sot presidentja në detyrë, përveç Mulla Idriz Gjilanit për të cilin është dhënë “Urdhri i Lirisë” për kontribut, ka vendosur që edhe Esat Ymër Berishës dhe Halim Oranës dhe qytetit të Gjilanit t’ia ndajë “Urdhrin e Lirisë”. Është hera e parë që një institucion komunal e merr në emër të 8000 viktimave “Urdhrin e Lirisë” si kontribut kolektiv të qytetarëve të saj. Ky kontribut kolektiv, përmes sakrificës së madhe, na bënë sot, që përveç që jemi të nderuar, t’i kujtojmë dhe t’i respektojmë të gjithë ata shpirta që po bëjnë dritë jo vetëm për ne, por bëjnë dritë për kauzën tonë që e kemi realizuar”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai tha se sot 70 vjet, kur Europa lirohej e çlirohej nga okupimet e sundimet e fashizmit, shqiptarët e panë që liria nuk po vije, por okupimi po zëvendësohet me okupim tjetër.
“Sot në një ditë të veçantë, në një histori të dhimbshme, jemi takuar këtu për të filluar muajin e madh të homazheve, përkujtimeve, kujdesit, të gjunjëzimeve, të lutjeve dhe të falënderimeve ndaj njerëzve, që jo vetëm ne, jo vetëm familjet e pasardhësit e tyre, por të gjithë regjionit të Anamoravës, të gjithë shqiptarëve kudo që janë i bëjnë krenar për reagimin e tyre, për kryengritjen e tyre për guximin dhe në fund për flijimin tyre. Sot 70 vjet, kur Europa lirohej e çlirohej nga okupimet e sundimet e fashizmit, shqiptarët e panë që liria nuk po vije, por okupimi po zëvendësohet me okupim tjetër. Duke qenë gjithmonë në ballë të thirrjes, që burra e gra të luftojnë për atdhe, për Zot e për vatan, për familje e për mbrojtjen e lirisë së shqiptarëve kudo që janë. Ajo thirrje e madhe e Mulla Idriz Gjilanit ka bërë jehonë të madhe, dhe natyrisht që jehona ka qenë aq e madhe saqë është arritur të mobilizohen prej Bujanocit e te Nasala, e gjithkund në gollak e Karadak, deri në Gjilan e Moravën e epërme, për ta ruajtur dhe rikthyer lirinë e kërkuar përkundër shtypjes së madhe e cila është paguar shtrenjtë. Këta emra të mëdhenj, qofshin luftëtarë, hoxhallarë, dijetarë, profesorë të kohës, apo njerëz që populli i ka dashur dhe u ka shkuar prapa, na kanë bashkuar neve sot”, ka vlerësuar kryetari Haziri.
Kryetari i Gjilanit tha se që ky muaj i homazheve, i lutjeve, ky muaj i ndezjes së qirave, simbolika e kujdesit dhe përkujtimit, na bënë që të mos e harrojmë të kaluarën, ku sipas historianëve, 60 për qind e popullatës së asaj kohe janë vrarë.
“Jam shumë i nderuar, që si kryetar i Gjilanit t’ju njoftoj që ky muaj i homazheve, i lutjeve, ky muaj i ndezjes së qirave, simbolika e kujdesit dhe përkujtimit, na bënë që të mos e harrojmë të kaluarën, ku sipas historianëve, 60 për qind e popullatës janë vrarë dhe nuk ka pasur mashkull më të moshuar se 15 vjeç për shkak të represionit të madh. Ne duhet ta përkujtojmë këtë histori dhe këtë gjak, këtë lumë që nëpër Gjilan flitet e shkruhet se është mbuluar dhe ka rrjedh gjak të bashkëvendasve tanë. Unë e di që s’ka asnjë shtëpi në Gjilan nuk s’ka qenë e prekur prej kësaj masakre dhe prej këtij represioni dhe dënimi të asaj kohe. Ai gjak ka bërë dritë edhe pas 70 vjetëve dhe po bënë dritë dhe do të bëjë edhe pas 70 vjetëve të tjera dhe duhet ta ruajmë kujtimin”, ka shtuar kryetari Haziri.
Haziri tha se në mesin e të vrarëve në mbrojtje të kufirit dhe në thirrje të kryengritjes dhe rezistencës, është vrarë në Lutfën e Dytë Botërore edhe gjyshi i tij, Hetem Haziri.
“Në një vizitë para pak ditësh tek baca Gani Hajrullahu, me tha se ‘ke mbet borxh diçka, po i përmend të tjerët, por s’po e përmend diçka duhet ta thuash sepse je borxhli ndaj të parëve të tuaj’, dhe po e them se edhe unë e kam humb gjyshin Hetem Hazirin në Luftën e Dytë Botërore, unë jam nipi i tij, pasardhës i tij, i cili është vrarë në mbrojtje të kufirit shqiptar, në thirrje të kryengritjes dhe rezistencës dhe ai, poashtu, është djali i një të burgosuri të madh të kohës së tij për shkak të kryengritjes dhe bashkëluftëtar i Idriz Seferit. Po e përmend për ta larguar atë borxh, i cili qe një javë po më sillet në kokë”, ka nënviziuar kryetari Haziri.
Kreu i Gjilanit tha se amaneti i të gjitha viktimave, martirëve, dëshmorëve dhe heronjve nuk ka shkuar akoma deri në fund.
“Ata për flamur, vatan dhe Zot kanë dashur që nën këtë flamur të bëhen bashkë të gjithë shqiptarët kudo që janë, të jetojnë dhe të fitojnë lirinë. Deri atëherë, kemi ende punë!”, ka deklaruar Haziri në Akademinë e sotme përkujtimore.
Kryetari Lutfi Haziri është shrehur se Gjilani do t’i kujtoj për një muaj dëshmorët, martirët dhe heronjtë si dhe mijëra të zhdukur që ende pas 70 vjetëve nuk dihet fati i tyre.
“Përveç kësaj Akademie përkujtimore, ju lus që një muaj ta ulim gëzimin pak, nuk do të gëzohemi sikur që gëzohen nahitë tjera në ndërrimin e motmoteve . Do të urojmë shëndet e të mira për çdo familje, por do t’i përkujtojmë shumë prej tyre, e në veçanti mijëra të zhdukur që ende pas 70 vjetëve nuk dihet fati i tyre. Gjilanit sot është në krye të historisë kudo që jetojnë shqiptarët. Le të kthehen pak kokën kah Anamorava, kah lufta e Gjilanit dhe kah lufta e udhëheqësve, patriotëve dhe heronjve të Gjilanit sepse ata njerëz, duke mbrojtur këtë vend, kanë çu mesazh deri në Janinë dhe kudo që kanë jetuar shqiptarët dhe trimëria e jehona e tyre, më së miri përshkruhet me “kushtrimin të Kosovës”. Ajo këngë, në kohën e Idriz Seferit ka qenë himn dhe thirrje për luftë, e cila ka vazhduar deri në ditët e sotme. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka përfunduar kryetari Haziri.
Në këtë Akademi iu referuan me kumtesat e tyre për 70 vjetorin e Masakrës së Gjilanit prof. dr. Fehmi Rexhepi, mr. Aliriza Selmani, MA. Blerim Haziri, prof. Reshat Ramadani dhe mr. Naim Musliu.
Akademia përkujtimore për 70 vjetorin e Masakrës së Gjilanit është mbyllur me disa pika muzikore të realizuara nga nxënësit e shkollës së muzikës në Gjilan./2L ONLINE/