(2L ONLINE) – Qendra Rajonale e OSBE-së në Gjilan ka mbajtur sot takimin e parë përmbyllës të vitit 2014 për shkëmbim përvojash ndërmjet 11 komunave, ku pranishëm ka qenë shefi i Misonit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean Claude Schlumberger, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, drejtori i Qendrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, Ulrich Biffar si dhe kryetarët e komunave: Ferizaj, Viti, Kamenicë, Kaçanik, Hani i Elezit, Novobërdë, htërpcë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot.
Në fjalën e tij, shefi i Misonit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean Claude Schlumberger, ka thënë se gjatë këtij viti OSBE ka realizuar një sërë projektesh në të mirë të qytetarëve të komunave të sipërpërmendura për dialogun ndërfetar, për personat e riintegruar dhe riatdhesuar, pastaj për mbështetjen e dhënë për Gjilanin për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptas, për evokimin për përmirësimin e barazisë gjinore, për kontributin e dhënë për fuqizimin e shoqërisë civile etj.
Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka falënderuar ambasadorin Schlumberger dhe drejtorin e OSBE-së në Gjilan, Ulurich Biffar, për bashkëpunimin e mirë dhe ndihmën e dhënë në shumë fusha për qytetarët e Gjilanit.
“Falë angazhimit të drejtorit regjional, OSBE ka pasur një rol kritik që temat e përbashkëta në interes të përbashkët, t’i bisedojmë dhe diskutojmë, ku përfshihen të gjitha aktivitetet në interes të përbashkët rajonal, ku përfshihen të gjitha komunat. Dialogu ndërfetar ka qenë njëra nga proceset që ne kemi vazhduar dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë bashkë liderët fetarë të Komunës dhe meqë është treguar e jashtëzakonshme ftesa e OSBE-së, ne kemi vazhduar takimet e ndryshme me liderët fetar dhe po e bëjmë një program të përbashkët me komunitetet fetare, derisa takimi i radhës do të jetë në Bashkësinë Islame, ndërsa takimet tjera pas Krishtilindjeve do të jenë në Kishën Katolike etj.”, tha Haziri, duke përmendur edhe një sërë ndihmash që OSBE i ka ofruar Komunës së Gjilanit.
“Një aktivitet që më ka bërë shumë përshtypje gjatë fillimit të vitit, kur Gjilani është ballafaquar me thatësinë e ujit dhe drejtori i OSBE-së na ka ftuar të gjithëve në takim për të menaxhuar thatësinë, duke ndërmarrë vendime konkrete dhe kjo na ka ndihmuar shumë. Pastaj, ne kemi organizuar 10 takime publike brenda vitit për njoftim të qytetarëve për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe edhe për këtë na ka ndimuar OSBE me këshillat ne tyre”, shtoi Haziri.
Kryetari Haziri ka thënë se pret që edhe në vitin e ardhshëm të vazhdoj bashkëpunimi i mirë me Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan.
Edhe kryetarët tjerë të komunave të sipërpërmendura, në paraqitjet e tyre, kanë falënderuar qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për ndihmesën e dhënë në shumë fusha./2L ONLINE/