Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot furrën Mala, duke përgëzuar pronarët për punën dhe kontributin e madh në kohë pandemie.
“Gjilani është me fat që kemi njerëz si ju. Shembulli më i mirë është kthimi i dy bashkëshortëve nga Zvicra për të investuar në profesionin e tyre në përpunimin e bukës në Gjilan dhe njëkohësisht, zhvillimin dhe shërbimin shembull me produkte të shumta për qytetarët tanë. Angazhimi që është duke u dhënë këtyre ditëve në këtë kohë pandemie është shembulli më i mirë që të gjithë furrtarët janë duke e dhënë”, ka potencuar kryetari Haziri.
Ai ka falënderuar furrën “Mala”, për bukën që e ka dhënë në këto ditë të vështira, për të mbajtur aktiv zyrtarët e ndryshëm nëpër institucionet e Komunës së Gjilanit.
“Mbi 800 shërbyes të organeve të shtetit që nga Policia e Kosovës e deri te shërbyesit shëndetësor, janë ushqyer nga duart tuaja. Të jeni të sigurtë se këtë situatë të gjithë së bashku dhe me këtë solidaritet të jashtëzakonshëm së bashku do ta kalojmë. Tashmë në të gjithë Kosovën rastet po shkojnë duke u lokalizuar dhe është një lajm i mirë sepse merremi dhe i trajtojmë vetëm rastet e infektuara. Parandalimi si masë po shkon mirë dhe besoj shumë që do ta tejkalojmë me sukses”, ka thënë kryetari në fjalën e tij.
Ai ka potencuar se bota po ndryshon, që është një fakt, mirëpo njerëzit do të kenë nevojë të ushqehen gjithmonë.
Haziri, gjithashtu, ka përshëndetur masat që ka ndërmarr Qeveria për mbështetjen e kategorive të ndryshme që janë aktiv dhe po ofrojnë shërbime në këto kushte të rënda të pandemisë.
“Kjo furrë është në mesin e shumë veprimtarive që këtë vit do të marrin çmimin e vitit në Ditën e Çlirimit 12-15 qershor, në shenjë falënderimi nga zemra për punën e bërë dhe dashtë Zoti që t’i manifestojmë në formën krejt tjetër”, ka thënë Haziri.
Ndërsa, Maliq Kosumi, pronar i këtij biznesi, ka thënë se këtë muaj bëhen 13 vjet nga kthimi prej Zvicrës dhe fillimin e veprimtarisë biznesore, kur e kishin filluar me tre veta dhe tani kanë afro punëtorë.
“Gjatë rrugës tonë në këtë sektor të biznesit kishim shumë sfida e probleme, mirëpo kemi arritur në këtë nivel që jemi. Jemi shumë të lumtur dhe krenarë për mbështetjen e të gjithë qytetarëve që janë duke na mbështetur në vazhdimësi. Ne kemi edhe plane të tjera dhe synime të shumta por në atë fushë do të punojmë pas kalimit të kësaj pandemie, e cila ka qenë një pengesë e madhe për të gjithë”, ka thënë mes tjerast, pronari Kosumi.