Në kuadër të shënimit të 32-vjetorit të themelimit të LDK-së në Gjilan, kryetari i Degës, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, z.Lutfi Haziri ka mbajtur konferencë për medie.
Kryetari z. Haziri, pasi ka falënderuar të gjithë qytetarët, veprimtarët e bashkatdhetarët për mbështetjen, tha se kemi arsye të madhe të kremtojmë.
“Sot, edhe pse jemi në rolin e opozitës, kemi një mbështetje të madhe të popullatës dhe jemi partia e parë në Gjilan”, u shpreh në konferencën për medie z. Haziri.
Fjala e plotë e kryetarit Haziri:
“Para 32 viteve, burra dhe gra në Gjilan kanë themeluar Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ishte parti politike që mori mbi vete realizimin e aspiratave të qytetarëve për të qenë të lirë, të pavarur e në një demokraci të konsoliduar, të cilën sot po e gëzojmë në 21 vjet liri dhe 14 vjet pavarësi.
Sot jam krenar që para jush, bashkë me kolegët e Kryesisë së Degës të shpalosi aktivitet e Javës së Bardhë në Gjilan, e cila fillon sot dhe përfundon me 11 mars. Do mbahen aktivitet e organizuara nga strukturat tona si Forumi i Rinisë, Forumi i Gruas dhe strukturat tjera të LDK-së, në nderim të gjithë atyre që kanë kontribuar e luftuar për këtë shtet që sot të jetë më i lirë e të jetë i pavarur dhe të funksionoj jeta e barabartë për çdo familje e çdo qytetar.
Me këtë rast, dëshiroj të theksoj rolin e veçantë të gjithë atyre bashkëveprimtarëve që nuk jetojnë më, kontributi i të cilëve nuk harrohet asnjëherë. Ata do jenë gjithmonë krenari për ne e do i mbajmë në kujtesën tonë të nderit.
Falënderim i veçantë edhe për bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë, të cilët nuk e ndalën aktivitetin, solidaritetin dhe mbështetjen e tyre asnjëherë dhe as sot për vendin e tyre.
Këto 32 vite roli i LDK-së në Gjilan por edhe në gjithë Kosovën ka qenë vendimtar, në udhëheqje të drejtpërdrejt të të gjitha proceseve politike dhe aktiviteteve të rezistencës politike dhe kryengritjes për çlirim, e në gjendjen e pasluftës në krijim të paqes dhe krijim të shtetit.
Sot, edhe pse jemi në rolin e opozitës, kemi një mbështetje të madhe të popullatës dhe jemi partia e parë në Gjilan.
Dëshiroj të adresoj falënderimin tim për gjitha partitë politike në Gjilan, për bashkëpunimin e treguar gjithë këto vite. Ne si parti politike jemi këtu për të dhënë politikat të qëndrueshme dhe zhvillimore duke mbështetur lidershipin aktual në nivel lokal dhe në nivel të Republikës.
Jemi duke pritur për 100-ditëshin dhe më pas do vazhdojmë të rekomandojmë politika me gjithë angazhimin tonë në interes të zhvillimit të komunës.
Faleminderit edhe një herë për krejt mbështetjen në këto 32 vite! Ka arsye të madhe që ta manifestojmë në ketë Javë të Bardhë që Gjilani do e shënoj deri me 11 mars” /2LONLINE/