Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherësh njëri nga eksponentët kryesor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Telegrafin se partia e tij duhet t’i forcojë radhët, në mënyrë që në zgjedhjet nacionale të dalë partia e parë në vend.
Haziri tha se beson që LDK-ja pas zgjedhjeve nacionale do të rikthehet në skenën politike si në kohën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, duke iu takuar kështu pozita e shefit të ekzekutivit kosovar.
Duke folur për mundësinë e krijimit të një koalicioni qeverisës së LDK-së me ndonjë subjekt tjetër, Haziri ka thënë se “koalicionet duhet të ndërtohen mbi bazë të përputhjes së programeve dhe jo në bazë të praktikave tjera, varësisht prej programeve përcaktohet edhe partneri”.
“Puna kryesore e LDK-së duhet të jetë unifikimi i të gjitha strukturave të saj. Bashkimi i të gjithëve, madje edhe atyre të cilët kanë qenë të pakënaqur deri më tani, është rruga e cila do të na dërgoj deri te fitorja e sigurt në zgjedhjet nacionale. Partisë i nevojiten kuadro të reja, politikanë të rinj, por jo njerëz të cilët duke u fshehur pas petkut të personaliteteve të partisë dëshirojnë të fitojnë vota, për shkak se gara duhet të jetë e barabartë për të gjithë”, ka thënë Haziri për Telegrafin.