(2L ONLINE) – Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan, Sokol Haziri, me bashkëpunëtorët e tij, kanë inspektuar punimet në lagjen e Vishnjave, ku pas investimit të ndriçimit publik, janë duke u trajtuar edhe rrugët e kësaj lagjeje me zhavorr.
Me këtë rast drejtori Haziri, ka thënë se kështu me intensitet përherë e më të shtuar po vazhdojmë me punë në të gjithë hapësirën e Komunës së Gjilanit.
“Këtu në këtë lagje ne sot po nisim punimet në trajtimin e rrugëve me zhavorr. Para disa ditësh është investuar edhe ndriçimi publik, por do të vazhdohet edhe më tutje. Këtu tashmë kompania ka nisur punën për të rregulluar këtë rrugë e cila është me shumë probleme. Në këtë lagje ka edhe shumë punë për t’u bërë, ngase infrastruktura në përgjithësi është pa standarde, duke nisur nga rrugët, kanalizimi, ujësjellësi, etj. Kështu që ne do të trajtojmë rrugët këtu sikur që do të planifikojmë edhe zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik në këtë pjesë. Punët nuk do të ndalen në asnjë moment, ngase nevojat janë të mëdha, ndërsa mjetet buxhetore janë të limituara për shkak të obligimeve që kemi. Por qytetarët janë ata të cilëve ne u shërbejmë dhe për këtë jemi në dispozicion të tyre në mënyrë permanente me investime të ndryshme infrastrukturore”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Sokol Haziri.
Ndryshe, investime të kësaj natyre janë duke u kryer edhe në lagje të ndryshme si në kanalizime, ujësjellës, ndriçim publik, asfaltime të rrugëve, rregullim të trotuareve etj./2L ONLINE/