(2LONLINE) – Lutfi Haziri, kryetar i zgjedhur i Gjilanit, gjatë një interviste për Portalin Informativ 2LONLINE, thotë të jetë i impresionuar me përkrahjen rekorde të gjilanasve, të cilët në mënyrë plebishitare vendosën që ai ta udhëheqi Gjilanin për katër vitet e ardhshme. Sipas tij, t’i marrësh konfirmimin dhe besimin e mbi 26 mijë qytetarëve është ndjenjë shumë e mirë, por në të njejtën kohë edhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Ai thotë se të gjitha premtimet e bëra do të jenë të realizueshme dhe të prekshme për t’ua bërë më të mirë jetën qytetarëve. Ka thënë edhe se nuk do të të bëjnë gabime, por do të jenë maksimalisht të kujdesshëm me qytetarët, të cilët sipas tij dënuan arrogancen e pushtetarëve dhe tendencën për t’i kthyer qytetarët në shërbyes, por se ai e LDK do të punojnë tani drejtë dhe ndershëm në mënyrë që gjilanasve t’ua bëjnë jetën më të mirë. Duke folur për koalicionet e mundshme në Kuvend, Haziri ka thënë se për LDK-në, të gjithë janë fitues dhe duhet që nga koalicioni me qytetarët të kalojnë në qeverisje me qytetarët dhe për qytetarët. “Do të qeverisim me duar të pastra në mënyrë të ndershme, duke e ruajtur kuletën e popullit dhe do të jemi shembull i qeverisjes së mirë dhe stabile”, ka thënë Haziri përgjatë një interviste për 2LONLINE.
Intervista e plotë:
2LONLINE: Përfundoi edhe ky proces zgjedhor me garën e 3 nëntorit e tani edhe me balotazhin. Do të jenë në krye të institucionit që do të administrojë jetën e komunës së Gjilanit. Cilat janë përshtypjet tuaja të para?
HAZIRI: Ju falënderoj për mundësinë që në mediumin tuaj të respektuar të bashkëbisedojmë. Fillimisht, është shumë e rëndësishme që ka përfunduar ky proces në mënyrë demokratike. Gjilanasit e dhanë testin e demokracisë. Jam shumë i impresionuar me përkrahjen rekorde të gjilanasve, të cilët në mënyrë plebishitare vendosën që unë ta udhëheqi Gjilanin për katër vitet e ardhshme. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj dhe do t’u jem mirënjohës përjetë. Më lejoni që t’ju konfirmoj se unë do të qeverisë me qytetarët dhe në asnjë mënyrë të administrojë me ta. Këto zgjedhje dënuan arrogancëen e pushtetarëve dhe tendencën për t’i kthyer qytetarët në shërbyes. Oferta jonë për qeverisje me dyer të hapura dhe me qytetarët është ofertë e sinqertë.
2LONLINE: Si e vlerësoni diferencën prej mbi 8 mijë votash. Si rrjedhojë e çfarë erdhi kjo?
HAZIRI: Realisht, pushteti i deritanishëm nuk është sjellë mirë me qytetarët, ka qeverisur keq, nuk është kujdesur për njerëzit e këtij qyteti dhe për këtë ka pasuar ndëshkimi i qytetarëve. Dallimi është i madh mes meje dhe kundërkandidatit. T’i marrësh konfirmimin dhe besimin e mbi 26 mijë qytetarëve është ndjenjë shumë e mirë, por në të njejtën kohë edhe përgjegjësi për qytetarët. Qytetarët e hapën zemrën, na çelën dyertë nëpër konaqe kudo që kemi shkuar, pranuan programin tonë dhe ne ju themi se këtë besim do ta ruajmë si të shenjtë.
2LONLINE: Premtimet e bëra zakonisht në kuadër të fushatës mund të jenë marrë me rezerva, por tani më që jeni fitues, a do t’i realizoni ato dhe a prisni vështirësi ngase fushata mund të ketë determinuar edhe premtime që mund të kenë qenë “fontanë dëshirash’?
HAZIRI: Unë nuk kam bërë premtime multimilionëshe pa mbulesë sic kanë bërë të tjerët. Të gjitha premtimet do të jenë të realizueshme dhe të prekshme për t’ua bërë më të mirë jetën qytetarëve. Nuk do të bëjmë gabime, por do të jemi maksimalisht të kujdesshëm me qytetarët tanë. Programi ynë për infrastrukturë bazike, programi për familjen dhe programi për bujqësinë janë të realizueshme. Investimet kapitale si tretmani i ujërave të zeza, problemi me deponinë e bërllogut, zgjerimi dhe rregullimi i rrugëve regjionale është i mundshëm në bashkëpunim me fonde të qeverisë dhe donatorët.
2LONLINE: Keni folur shumë për ndryshimet që i duhen Gjilanit. Cilat do të jenë ato veprimet e para tuaja, në ditët e para të qeverisjes me Gjilanin që do të mund t’i binin në sy qytetarit se ju vërtetë do të realizoni atë që e keni premtuar?
HAZIRI: Punën e parë që do ta bëjë tash është që zyrën e Kryetarit t’ia jap Muzeut të Gjilanit. Është vend i mbrojtur dhe e kam ruajtur këtë ndërtesë. Pastaj, hapja e zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, miratimin e projektit për “Tregun e Gjelbërt”, e shumë programe tjera.
2LONLINE: Cila do të jetë zgjidhja e atyre çështjeve që ua ka lënë në “derë”, ish pushteti, flas këtu për projekte në papërfunduara ose në proces, pastaj mendojë në gjërat që i keni apostrofuar ju edhe gjatë fushatës siç janë borxhet e komunës, pastaj keni atakuar komunën shpesh edhe për vendime të paligjshme, e çështje të tjera të tilla që i keni ngritur ju si shqetësime si opozitë?
HAZIRI: Realisht, ne komunën po e marrim sikur “shitoren e thyer”. Janë miliona euro borxhe ndaj operatorëve privat. Do të bëjmë një auditim detaj të gjendjes buxhetore, inventarizim të pronës së luajtshme dhe të paluajtshme, rishikimin e projekteve si dhe servisimin e borxheve dhe kryeministri i ka dy mundësi: t’i paguaj borxhet dhe t’i paguaj borxhet. Nuk do të lëshojmë pe për këtë. Nuk do të bëjmë kompromis.
2LONLINE: T’i kthehemi Kuvendit Komunal. Dihet se nuk e keni shumicën dhe ju duhen partnerë për të pas shumicën e nevojshme. Me këtë do të bashkëqeverisni, duke pas parasysh se dy subjekte tjera, hiq PDK-së, e që janë Vetëvendosje dhe AAK, pritet t’i kenë nga katër këshilltarë, por të parët janë deklaruar se do të qëndrojnë opozitë, e të dytë kanë shfaqë apetite bukur të mëdha për hise?
HAZIRI: Qyteari i Gjilanit ka folur dhe ka vendosur që LDK-në ta bëjë fituese të madhe edhe për Asamble Komunale. Ne kemi shumicën e thjeshtë në Asamble dhe do të ndërmarrim veprime që me të gjithë ata që janë pjesë e përfaqësimit politik në Kuvendin Komunal të bashkërendojmë agjendat zhvillimore për Komunën e Gjilanit. Për LDK-në, të gjithë janë fitues dhe duhet që nga koalicioni me qytetarët të kalojmë në qeverisje me qytetarët dhe për qytetarët. I falënderoj për mbështetjen e parezervë Republikanët e Gjilanit, me të cilët bëmë marrëveshje para fillimit të fushatës. Ne besojmë shumë se shumica e partive politike mund të ndihmojnë dhe ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e komunës për të kontribuar direkt në vendimarrje për qytetarët.
Poashtu, LDK do t’u ofrojë partneritet të plotë edhe partive polititike që nuk kanë përfaqësim të në Kuvend, si dhe rishikon rolin e shoqërisë civile, grupeve të interesave dhe grupeve të tjera përfaqësuese. Natyrisht, në fund duhet të themi që presim shumë që PDK si opozitë ta ketë rolin e vet konstruktiv në krejt këtë proces.
2LONLINE: Nëse nuk e shihni të favorshme bashkëqeverisjen me AAK apo partnerë të tjerë, për shkak të hises së madhe që mund ta kërkojnë, a përjashtohet mundësia të kemi në Gjilan një bashkëqeverisje LDK- PDK?
HAZIRI: Sa i përket koalicionit me PDK, kjo do të ndodhë vetëm nëse nata bëhet ditë. Ne kemi tjetër vizion dhe dallojmë me ata si nata me ditën. Kështu që nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Ndërsa, me gjitha grupet tjera polititike si VV, AAK, PD, AKR e të tjerë, ne jemi të gatshëm të ndërtojmë bashkëpunim në të mirë të qytetarëve Gjilanit.
2LONLINE: Ka qarkulluar përgjatë fushatës një listë me emra drejtorësh të drejtorive komunale, që mbante një vulë dhe nënshkrimin tuaj. A është e vërtetë që ata emra të apostrofuar aty do të jenë ekipi juaj?
HAZIRI: Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka emëruar asnjë drejtor dhe emrat që kanë qarkulluar nëpër disa faqe fantome janë fabrikime. LDK ka qenë në përgatitje për ta përmbyllur suksesshëm procesin zgjedhor më 1 dhjetor askush nuk është marrë me drejtoritë e Komunës. Partia që po e lë pushtetin ka përdorur fabrikime, fjalor denigrues e shantazhues duke u munduar t’i hutojë njerëzit, por nuk ia doli. Tek tash, pas finalizimit të suksesshëm të procesit zgjedhor, do të merremi me drejtoritë dhe së bashku me ekipin tim fitues do të publikojmë emrat që do të jenë profesionist të vërtetë për lëmit e caktuara. Do të qeverisim me duar të pastra në mënyrë të ndershme, duke e ruajtur kuletën e popullit dhe do të jemi shembull i qeverisjes së mirë dhe stabile.
2LONLINE: Z. Haziri, për fund, a jeni mbushur mend ju si LDK nga të qenit opozitë në Gjilan që nga 2007, për të rezonuar drejtë tani nga prizmi i pozitës, dhe për të punuar drejt për qytetarin, sepse katër vite shkojnë shpejtë dhe zgjedhjet do të vijnë sërish, e duke iu referuar këtyre zgjedhjeve në krejt Kosovën ka pas ndryshime pushtetesh çfarë do të thotë se qytetari ka ndëshkuar?
HAZIRI: Qytetarët e Gjilanit e rikthyen besimin në LDK si në kohën e Presidentit Ibrahim Rugova. 26 mijë vota, domethënë 26 mijë qytetarë që besojnë në filozofinë rugoviste. Fitoren plebishitare ua dedikojë qyetarëve të Gjilanit dhe Anamoravës, të cilët me mbështetjen kolosale më bënë nderin më të madh, duke më zgjedhur kryetar. Këtë rikthim e besim të madh do ta ruajmë si të shenjtë. Do të punojmë drejtë dhe ndershëm në mënyrë që gjilanasve t’ua bëjnë jetën më të mirë. /2lonline/