Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor pas tri jave shtyrjeje për shkak të situatës me COVID-19, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.
Për të parë nga afër fillimin e procesit mësimor në shkolla të mesme, fillore dhe institucionet parashkollore, kryetari Lutfi Haziri ka vizituar gjimnazin shoqëror “Zenel Hajdini” dhe shkollën fillore “Selami Hallaqi”, ku ka konfirmuar se në të gjitha shkollat e Gjilanit mësimi ka filluar me kohë, pas përgatitjeve intensive që ka bërë Drejtoria Komunale e Arsimit.
“Kthimi i zhurmës së fëmijëve në shkolla, përkundër zhurmës tri javore, është lajmi më i mirë sot. Kemi filluar procesin mësimor në vitin e ri shkollor në të gjitha ciklet shkollore në komunën e Gjilanit, në koordinim edhe me Ministrinë e Arsimit. Pashë nga afër procesin e fillimit te vitit në gjimanzin shoqëror “Zenel Hajdini” dhe në shkollën fillore “Selami Hallaqi”, tha Haziri.
“E falënderoj Drejtorinë Komunale të Arsimit për angazhimet në kohë pandemie që procesi mësimor të fillojë me kohë. Lutemi dhe do të punojmë bashkë që të preventojmë çdo arsye për mbyllje të klasëve e shkollave për shkak të COVID-19. Mësimdhënësit, prindërit e nxënësit kanë arsyje t’i gëzohen këtij fillim-viti shkollor sepse arsimi do të mbetet prioriteti kryesor dhe investimet kryesore do të shkojnë në arsim”, ka thënë Haziri.
Konfirmimin se viti i ri shkollor ka filluar me kohë e ka dhënë edhe drejtoresha e DKA’së, Majlinda Hoxha, e cila e ka falënderuar kryetarin Haziri për përkrahjen e vazhdueshme, sikurse edhe drejtori i gjimnazit shoqëror “Zenel Hajdini”, Sami Hoxha dhe ai i shkollës fillore “Selami Hallaqi”, Florim Maloku. /2LONLINE.com/