(2LONLINE) – Kryesia e Shoqatës së “Kryqit të Kuq” në Gjilan e përfaqësuar nga sekretari i saj Ilmi Shala, është takuar sot me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.
Qëllimi i takimit ka qenë njoftimi me aktivitetet e kësaj shoqate bamirëse në Komunën e Gjilanit.
“Janë 250 deri 300 familje në Gjilan që kanë gjithmonë nevojë ndihmesë. Aktivitetet tona po ecin mirë, objektin e kemi, ndërsa ka raste kur reagojmë edhe në rastet emergjente”, ka pohuar sekretari i Shoqatës së Kryqit të Kuq në Gjilan, Ilmi Shala.
Kryetari Haziri ka falënderuar këtë shoqatë për vizitën, ndërsa ka konfirmuar koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta që do të kenë këto dy institucione në të ardhmen.
“Do të mundohemi që t’i ndihmojmë qytetarët për ta përballuar sa më lehtë gjendjen e tyre. Unë jam njeri që kam bashkëpunuar gjithmonë me institucionet dhe këtë do ta bëjë edhe me “Kryqin e Kuq”, duke realizuar aktivitete të përbashkëta në të mirë të qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë gjatë këtij takimi kryetari Haziri. /2LONLINE/