(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ndër shumë pritje që kishte sot, ka pritur përfaqësuesit e qendrës së Hendikos-it, të cilët e kanë uruar për detyrën e re duke shpresuar në zhvillimin dhe ecjen përpara të Gjilanit.
Me këtë rast Fatmir Shurdhani dhe Remzi Kqiku, kanë uruar kryetarin Haziri për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në punë dhe ndikim në zhvillimin e Komunës së Gjilanit, në të mirën e qytetarëve. “Ne ju dëshirojmë suksese në detyrën e re, edhe pse kjo është një detyrë me shumë përgjegjësi dhe sfida, mirëpo ne dëshirojmë që sukseset të nisin të shihen në muajt në vijim”, kanë thënë ata.
Gjithashtu ata kanë spikatur edhe kërkesat dhe problemet që Hendikos ka sot, por edhe prioritetet të cilat duhet të kihen parasysh në këtë kohë.
Kryetari Haziri, ka thënë se së shpejti do ta vizitoj qendrën e Hendikos-it dhe atje do të marrim kërkesat e detajuara nga ju. “Së shpejti do ta vizitoj qendrën tuaj ku do të takohemi së bashku atje dhe do t’i marrim kërkesat tuaja, por edhe do ta shohim mundësin e realizimit të tyre nga ana e Komunës”, ka thënë ai.
Haziri poashtu tha se bashkëpunimi dhe mbështetja nga ana e Komunës nuk do të mungoj asnjëherë. “Mbështetja e Komunës në asnjë moment nuk do të mungoj, por të gjithë ju e dini se Komunën e kemi gjetur në borxhe shumë të mëdha rreth 8 milion euro, që së pari duhet të shikojmë mundësin e shlyerjes së tyre dhe krahas shlyerjes edhe investimeve”.
“Në asnjë moment nuk do t’ju harrojmë dhe as nuk do të heshtim. Në bazë të prioriteteve do të punojmë bashkë me ju në qendër”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri. 2lonline/