(2LONLINE) – Janë hequr sot rrethojat e objektit të ish-Gjykatës në Gjilan, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili, iu ndihmoi punëtorëve ta heqin njërën nga pengesat.
“Sot është larguar rrethoja para ndërtesës së ish-Gjykatës. Çdo lloj pengese, e cila pengon qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe të njerëzve, çdo lloj objekti dhe çdo lloj rrethoje tjetër do të largohet në mënyrë që të krijohen hapësira më të mëdha për qarkullim të lirë të qytetarëve. Në listë janë edhe një numër i objekteve dhe pengesave të tjera. Kjo është faza e parë. Ndërsa, fazën e dytë do të filloj me ndërtim të trotuarëve, rrugëve dhe infrastrukturës bazike”, ka thënë me këtë rast kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.
Më pas kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka parë nga afër punën e Drejtorisë së Urbanizimit, të Drejtorisë së Inspeksionit dhe asaj të Bujqësisë, të cilat janë vendosur në këtë objekt.
Haziri ka inkurajuar punëtorët që të japin maksimunin në punë për të mirën e qytetarëve të Gjilanit. /2lonline/