(2L ONLINE) – Është inauguruar sot në Gjilan objekti i rezervuarit të ujit të pijshëm, i cili është financuar nga qeveria zvicerane, derisa është shënuar 15 vjetori i prezencës së investimeve zvicerane në ujë të pijshëm për Gjilanin dhe Ferizajin.
Në këtë ngjarje ka qenë i pranishëm kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ambasadorja e Zvicrës së Kosovë, znj. Krystyna Marty-Lang, ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli, kryetari i Ferizajt Muharrem Sfarqa, përfaqësues nga kompania “Hidromorava’ dhe “Bifurkacioni”, si dhe drejtor e zyrtar komunal.
Nikoqiri i këtij organizimi, kryetari i Gjilani Lutfi Haziri, ka falënderuar qeverinë zvicerane, e cila është mbështetje lidere në investimet për ujë të pijshëm në rajonin e Anamoravës, që siguron shëndet të mirë dhe mirëqenie për qytetarët.
Ai tha se për këto 15 vjet, kontributi i qeverisë zvicerane është njëherë më i madh se i qeverisë së Kosovës në investime dhe kjo do të thotë që populli i Zvicrës është kujdesur në mënyrë të veçant për ne.
“20 qershori shënon 15 vjetorin e prezencës dhe investimeve të Zvicrës në Komunën e Gjilanit, por edhe kujton që kontakti i parë i yni me Zvicrën ka qenë viti 1965 kur baballarët tanë kanë shkuar në mënyrë të rregullt kanë filluar jetën dhe punën në atë vend të panjohur për ta në atë kohë. 15 vjet më parë qeveria zvicerane ka ardhur dhe e ka ndihmuar një lagje të parë në rindërtim ku tetë familjarëve u kanë ndërtuar shtëpitë, kanë ndihmuar shumë familje të integrohen dhe të fillojnë programet e bujqësisë, kanë vazhduar me investime jashtëzakonisht të mëdha në ujë të pijshëm, rrjeti të ujësjellësit rehabilitimit, zgjerimin e kapaciteteve, fabrika e ujit prej pendës së Përlepnicës deri në fshatrat më të vogla”, tha Haziri.
Kryetari Haziri e ka shpallur 20 qershorin, si “Ditë e Zvicrës në Gjilan”, e cila do të shënohet në shenjë falënderimi dhe për t’i njoftuar gjeneratat e ardhshme për kontributin e popullit zviceran për Gjilanin.
“Nuk mundet në asnjë mënyrë ta imagjinojmë këtë progres pa e pasur ndihmën e madhe dhe mbështetjen e qeverisë zvicerane në tre sektorët e mëdhenjtë, e në veçanti kjo vepër e cila është ndërtuar sipas standardit zviceran dhe unë premtoj se do ta ruajmë këtë pasurisë sepse kjo sjellë ujë tek shtëpitë tona. Si kryetar i Gjilanit, me të drejtat që më jep ligji, më lejoni që sot 20 qershorin ta shpalli si “Ditën e Zvicrës në Gjilan” dhe do ta shënojmë çdo vit në Gjilan, ku ne do t’i njoftojmë gjeneratat e reja për kontributin që e kanë dhënë zviceranët. Në emër të Gjilanit dhe qytetarëve tanë, ju themi “Danke Schweiz”, u shpreh Haziri.
Nga ana e saj, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, ambasadorja Krystyna Marty-Lang, tha se qeveria zvicerane deri më tash ka investuar në rajonin e anamoravës mbi 45 milionë franga zvicerane në sektorin e ujit të pijshëm, duke garantuar se do të vazhdojnë të jenë prezent për investime edhe në ardhmen në këtë sektor.
“Sot jemi për të inauguruar investimet në furnizimin e ujit të pijes, infrastrukturën ujore për të dy qytetet, Gjilan dhe Ferizaj dhe të festojmë së bashku një punë të mrekullueshme që është bërë. Ky investim ka përmirësuar sigurimin e ujit të pijshëm dhe ngritjen e kualitetit në dy qytetet, Ferizaj dhe Gjilan dhe mendoj se së bashku ne mund të sigurojmë qëndrueshmërinë e investimeve të bëra që nga viti 1999. Ne mendojmë që më këto investime kemi përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve të dy qyteteve dhe po ashtu do të ndikojmë që të kemi një stabilitet socio-ekonomik”, ka thënë ambasadorja Krystyna Marty-Lang.
Falënderime shtetit zviceran kanë shprehur edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, dhe kryetari I Ferizajt, Muharrem Sfarqa, të cilët thane se ky rezervuar do të jetë një do të parandaloj që të përballemi me situatën e mungesës së ujit të pijshëm.
“Jam shumë i lumtur që sot ndodhem para jush për ta përuruar një objekt të rëndësisë së posaçme dhe i falënderoj të gjithë miqtë tanë të cilët kanë suportuar Kosovën sidomos në këto 15 vite, në zhvillimin e infrastrukturës jo vetëm të ujit por edhe në anët tjera. Falënderim special shkon për qeverinë zvicerane, e cila që nga 99-ta e tutje, përvec sektorëve tjerë, është koncentruar sidomos në sektorin e ujit si në rastet e ujësjellësit, ndërtimit të rrjetit, gjithashtu edhe në trajtimin e ujërave të zeza”, tha ministri Ismajli.
“Investimet që i ka bërë qeveria zvicerane në Komunën e Ferizajt janë shumë të mëdha dhe për këtë falënderimi im është tepër I madh që na ka ndihmuar në zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm. Jam shumë I nderuar për këto Investime për shkak se qeveria zvicerane duke përdorë standardet e njëjta si në shtetin zviceran, ka bërë gjithçka të mundshme për t’ua lehtësuar mënyrën e jetesës së qytetarëve të Komunës së Ferizajt. Në investimet që janë bërë në viset rurale për të zgjidh problemin e ujit të pijshëm, ka eliminuar shpërnguljen e qytet”, tha kryetari i Ferizajt Muharrem Sfarqa. /2L ONLINE/