Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i ka dhënë vetes të drejtë që t’i kërkojë presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe zyrtares së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, vazhdimin e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, të cilëve u skadon kontrata në fund të gushtit të sivjetmë.
Një veprim i tillë, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, pasi ky dokument ka afro dy vjet që është pastruar nga neni 152, i cili e përcakton përbërjen e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.
Kur është përmbyllur faza e mbikëqyrjes së pavarësisë, është vendosur që tre gjyqtarëve ndërkombëtarë në Kushtetuese, mos t’u ndërpritej mandati para kohe, por të riemërohen në të njëjtat pozita deri në fund të gushtit të vitit 2014. Këtë e ka bërë ish-Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, me vendim të veçantë, shkruan “Tribuna”.
Duke pasur parasysh amendamentimin e Kushtetutës, por edhe vetë ligjin mbi bazën e të cilit funksionin Gjykata Kushtetuese, Hasani ka pasur për obligim që ta njoftojë vetëm Kuvendin e Kosovës, se ndërkombëtarëve po u skadon mandati. Kuvendi, më pas do të autorizohej të niste procedurat për përzgjedhjen e gjyqtarëve të rinj.
“Gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas pikës 1.1 të paragrafit 1 të këtij neni, Kryetari i Gjykatës njofton Kuvendin e Republikës së Kosovës me qëllim që të fillojë procedurën për propozimin e gjyqtarit të ri”, thuhet shprehimisht në ligj.